Tatimet: Bizneset afat deri më 5 qershor për të aplikuar për paqen fiskale
Administrata tatimore u bën thirrje bizneseve me xhiro mbi 14 milionë lekë të aplikojnë deri më 5 qershor për marrëveshjen e “Paqes Fiskale”, ndërsa paralajmëron monitorim të posaçëm për të shmangur abuzimet dhe pastrimin e parave.

Aplikimet vetëm online në sistemin e-filing
Të gjitha bizneset e mëdha me të ardhura mbi 14 milionë lekë kanë afat deri më 5 qershor për të aplikuar për lidhjen e marrëveshjes së “Paqes Fiskale” me administratën tatimore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se aplikimi do të kryhet online në sistemin e-filing, ku subjektet duhet të ngarkojnë edhe dokumentacionin përkatës.
Nga viti 2027 e në vijim, aplikimet për marrëveshjen do të bëhen brenda afatit të deklarimit vjetor të të ardhurave, deri më 31 mars të çdo viti.
Për të përfituar nga skema, tatimpaguesit duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, vërtetim nga Prokuroria që nuk kanë procedime penale, dëshmi penaliteti, dokument që nuk janë në proces ankimi administrativ, si dhe vetëdeklarime që nuk realizojnë projekte koncesionare dhe nuk janë në dijeni për procedime penale në fushën tatimore.
Si funksionon marrëveshja
Përmes “Paqes Fiskale”, bizneset mund të negociojnë fitimin me administratën tatimore kundrejt një norme më të ulët tatimi. Sipas formulës së parashikuar, mbi fitimin e deklaruar një vit më parë shtohet automatikisht një marzh prej 18 për qind për vitin aktual. Çdo fitim që tejkalon këtë prag tatohet me normë preferenciale prej 5 për qind.
Për shembull, nëse një biznes ka deklaruar fitim 2.8 milionë lekë në vitin 2025, mbi këtë shumë shtohet një marzh 18 për qind ose 504 mijë lekë, duke e çuar bazën në 3.4 milionë lekë që tatohet me normën standarde 15 për qind. Çdo shumë mbi këtë nivel tatohet vetëm me 5 për qind.
Bizneset që hyjnë në marrëveshje mund të korrigjojnë edhe pasqyrat financiare të tre viteve të mëparshme, duke deklaruar fitime shtesë që do të tatohen me normën 5 për qind. Tatimet sqarojnë se diferencat tatimore dhe pasqyrat e reja financiare duhet të depozitohen elektronikisht deri më 30 qershor 2026.
Kush përjashtohet nga skema
Nga përfitimi i “Paqes Fiskale” përjashtohen subjektet që kanë norma të reduktuara tatimore, detyrime të papaguara, vendime të formës së prerë penale apo janë subjekt hetimi nga administrata tatimore.
Marrëveshja ka vlefshmëri njëvjeçare, me mundësi rinovimi edhe për dy vite të tjera. Ajo mund të ndërpritet në rast se biznesi nuk realizon rritjen minimale prej 18 për qind të fitimit të tatueshëm, pezullon aktivitetin, futet në proces riorganizimi apo kryen shkelje të përsëritura tatimore.
Kontrolle për të shmangur pastrimin e parave
Drejtoria e Tatimeve thekson se i gjithë procesi do të monitorohet për të parandaluar përdorimin e skemës për pastrim parash apo fshehje të ardhurash. Për këtë qëllim do të ketë shkëmbim në kohë reale informacioni me Agjencinë e Inteligjencës Financiare.
Administrata tatimore sqaron se gjatë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes nuk do të kryhen kontrolle të plota tatimore për tatimin mbi të ardhurat e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, përveç rasteve kur ekzistojnë hetime për skema mashtrimi me TVSH-në ose fshehje të ardhurash.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)