Raporti i World Atlas: Shqipëria, vendi i pestë më i varfër në Europë
Platforma World Atlas, bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e rendit Shqipërinë ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë sipas barazisë së fuqisë blerëse.
Shqipëria në listën e vendeve më të varfra
World Atlas ka publikuar renditjen e 10 vendeve më të varfra në Europë për vitin 2025, duke përdorur si tregues Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP). Sipas raportit, Shqipëria renditet e shtata në listë me rreth 25,600 dollarë PBB për frymë.
Raporti thekson se ekonomia shqiptare ka regjistruar performancë pozitive gjatë viteve të fundit, me një rritje mesatare prej rreth 4 për qind në periudhën 2022–2025, kryesisht falë zhvillimit të turizmit.
Sipas të dhënave, Shqipëria priti rreth 11.7 milionë turistë ndërkombëtarë gjatë vitit 2024, një shifër disa herë më e lartë se popullsia rezidente e vendit. Vizitorët kryesorë kanë qenë turistët italianë dhe gjermanë.
Sfidat që frenojnë ekonominë
Pavarësisht rritjes së turizmit dhe zgjerimit ekonomik, raporti evidenton se Shqipëria vazhdon të përballet me probleme strukturore. Mes tyre përmenden plakja e popullsisë, emigrimi i lartë i qytetarëve në moshë pune, informaliteti në ekonomi dhe dobësitë në sundimin e ligjit, faktorë që sipas raportit ndikojnë negativisht në produktivitet dhe zhvillimin afatgjatë.
World Atlas kujton gjithashtu se Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian në vitin 2014 dhe hapi negociatat e anëtarësimit në korrik 2022. Sipas raportit, zyrtarët europianë e konsiderojnë Shqipërinë si një nga vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim para vitit 2030.
Kosova dhe rajoni
Në listën e vendeve më të varfra të Europës, Moldavia renditet e para me rreth 19,700 dollarë PBB për frymë, e ndjekur nga Kosova me rreth 20,400 dollarë dhe Ukraina me 21 mijë dollarë. Më pas renditen Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Bjellorusia dhe Shqipëria.
Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria plotësojnë listën e dhjetë vendeve me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë sipas këtij klasifikimi. Për Serbinë, raporti vlerëson se ekonomia mbetet më e zhvilluara ndër ish-republikat jugosllave në listë, por thekson se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën vazhdon të konsiderohet një nga sfidat kryesore për stabilitetin dhe integrimin europian.