Secondary Adv

Vendosen guret e pare ne Sheshin Skenderbej

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vendosën në shenjë simbolikë dy gurët e parë në atë që kreu e Qeverisë e quajti “qilimi unikal i Sheshit Skënderbej”.

 

Rama dhe Veliaj inspektuan punimet në këtë shesh, punime që kanë hyrë në fazën finale të tyre.Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Rama u përqendrua tek ajo që e quajti si ana pozitive e zvarritjes së realizimit të këtij projekti.“Pavarësisht zvarritjes, koha i bëri mirë projektit, sepse ai që po finalizohet sot nuk është tërësisht projekti që u nis shumë vite më parë, e që pastaj u bllokua e më pas u zëvendësua nga një pampers në mes të Tiranës. Është një projekt i zhvilluar dhe transformuar në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.

 

Metafora për të cilën flet kryeministri është tapeti i këtij sheshi.“Ky shesh ka qenë gjithmonë pikë referimi për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, për shqiptarët kudo ku jetojnë. Projekti ka fituar, jo përmasë në sipëfaqje, por në përmbajtje pasi do të jetë një qillim unikal i thurur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare, ku do të rrijnë pranë e pranë gurët e Malishevës me gurët e Konispolit, të Mirditës, Tropojës me gurët e Manastirit. Kjo e bën këtë shesh unikal në historinë moderne urbane”, tha Kryeministri, duke shtuar se projekti fillestar është ndryshuar edhe sa i përket hapësirës së gjelbërt, që është shtuar.

 

“Nuk ka qenë në fillim një projekt me këtë përmasë të gjelbër që vjen edhe si rezultat  i një reflektimi ku dosmosdoshmëria për të patur sa më shumë gjelbërim bëhet më e thekshme”, u shpreh Rama.Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se janë rekuperuar të gjitha investimet e bëra deri në 2010.“Sheshi është më shumë sesa një ndryshim infrastrukure, demokracia ka lindur në shesh. Ne shuam me këtë shesh hapësirat ku mund të takoheshim dhe ky shesh është hapësira më e madhe demokratike në Tiranë”, deklaroi ai.


Më të lexuarat