Secondary Adv

Rriten me 14.4 për qind netqëndrimet e turistëve në mars, italianët dominojnë hyrjet

Turizmi në Shqipëri vijoi rritjen edhe gjatë marsit 2026, me turistët e huaj që dominuan akomodimet dhe italianët që mbetën tregu kryesor për vizitorët në vend.

Rriten akomodimet turistike në mars

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri u rrit me 20.8 për qind në mars 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

 

Rritja është udhëhequr kryesisht nga turistët e huaj. Vizitorët jo-rezidentë të akomoduar në vend shënuan një rritje prej 23.7 për qind, ndërsa vizitorët rezidentë u rritën me 15.9 për qind. Kjo tendencë konfirmon zgjerimin e turizmit ndërkombëtar në Shqipëri edhe jashtë sezonit tradicional veror, me shtim të flukseve hyrëse nga tregjet e huaja.

 

Italianët mbeten turistët kryesorë

Sipas INSTAT, Italia vijon të mbetet tregu kryesor për turizmin hyrës në Shqipëri. Rreth 30 për qind e turistëve të huaj të akomoduar gjatë muajit mars ishin italianë.

 

Pas Italisë renditet Kosova me 12 për qind të totalit të vizitorëve të huaj, e ndjekur nga Gjermania me 7 për qind. Ndërkohë, turistët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përbënin respektivisht 6 dhe 5 për qind të totalit. Pjesa tjetër prej 40 për qind përfaqësohet nga turistë nga vende të tjera.

 

Veriu dhe bregdeti me rritjen më të fortë

Rritja më e ndjeshme e turistëve jo-rezidentë është regjistruar në rajonin verior të vendit. Numri i turistëve të huaj të akomoduar në veri arriti në 30,986 gjatë marsit 2026, nga 13,516 që ishte një vit më parë, duke reflektuar më shumë se dyfishim të flukseve turistike.

 

Megjithatë, rajoni qendror mbetet zona me numrin më të lartë absolut të turistëve të huaj, me 61,873 vizitorë gjatë muajit mars. Edhe zonat bregdetare po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë jashtë sezonit veror. Numri i turistëve jo-rezidentë të akomoduar në bregdet arriti në 45,946 në mars 2026, nga 31,691 që ishte një vit më parë.

 

Zgjatet kohëqëndrimi i turistëve

Përveç rritjes së numrit të vizitorëve, të dhënat tregojnë edhe zgjerim të kohëzgjatjes së qëndrimit të turistëve. Netqëndrimet e turistëve jo-rezidentë u rritën me 14.4 për qind krahasuar me marsin e vitit 2025, ndërsa netqëndrimet totale shënuan një rritje prej 12.8 për qind.

 

Edhe treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve hoteliere vijuan përmirësimin. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 18.5 për qind në mars 2026, nga 18.1 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat