Secondary Adv

Bordi rrit sërish çmimin e naftës, arrin në 205 lekë për litër

Bordi i Transparencës ka vendosur një tjetër rritje të çmimeve të karburanteve në vend, duke e çuar naftën në 205 lekë për litër dhe benzinën në 189 lekë për litër.

Rriten çmimet e naftës dhe benzinës

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 19 maj 2026, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 205 lekë për litër, nga 202 lekë që ishte në vendimin e mëparshëm. Ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në maksimumi 193 lekë për litër.

 

Edhe benzina ka pësuar rritje. Çmimi i shitjes me pakicë për benzinën e standardit SSH EN është vendosur në maksimumi 189 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 177 lekë për litër.

 

Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 17:00

Bordi bëri të ditur se çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 19 maj, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.

 

Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve se zbatimi i vendimit është i detyrueshëm. Në rast të shkeljeve të konstatuara, parashikohet pezullim i aktivitetit.

 

Akciza mbetet në nivelin 100 për qind

Në sqarimin shoqërues të vendimit, Bordi rikujton se sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, niveli i akcizës reduktohet në 80 për qind vetëm nëse çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër ose benzina kalon 200 lekë për litër. Duke qenë se çmimet aktuale mbeten nën këto kufij, akciza do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë, pra 100 për qind.

 

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaruan se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat