Paqja fiskale ngre alarmin për pastrim parash, ekspertët: Ndërtimi, sektori më i rrezikuar
Zbatimi i ligjit për “Paqen Fiskale” po shoqërohet me debate të forta mbi rrezikun e pastrimit të parave, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se mungesa e kontrollit mbi origjinën e fondeve mund të krijojë hapësira për legalizimin e kapitaleve me burim të dyshimtë.

Ekspertët: Ligji krijon rrezik për legalizim fondesh të paqarta
Eksperti fiskal Julian Saraçi deklaron se marrëveshja e paqes fiskale përmban një rrezik të lartë objektiv për legalizimin e kapitaleve me burim të paqartë apo potencialisht kriminal. Sipas tij, ligji lejon rideklarimin e mjeteve monetare dhe aktiveve pa detyrim për verifikimin e origjinës së tyre, duke rënë ndesh me rekomandimet e Moneyval dhe task-forcës BEPS të OECD-së.
Saraçi thekson se mungesa e mekanizmave të fortë të kontrollit, në përputhje me legjislacionin kundër pastrimit të parave, cenon besueshmërinë e sistemit fiskal shqiptar në raport me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ndërtimi shihet si sektori me riskun më të lartë
Sipas ekspertit, sektori i ndërtimit mbetet më i ekspozuari ndaj abuzimeve për shkak të nivelit të lartë të informalitetit. Ai argumenton se marrëveshja mundëson rregullimin e zërave të aktivit dhe pasivit në bilance, përfshirë para cash, fshirje detyrimesh apo deklarim aktivesh të reja, me diferencë deri në 30 për qind nga deklarimi fillestar.
Në praktikë, kjo do të thotë se subjektet mund të deklarojnë mjete monetare të padeklaruara më parë, duke paguar vetëm 5 për qind tatim dhe pa dokumentacion mbështetës për origjinën e fondeve. Ekspertët paralajmërojnë se kompani në sektorë me informalitet të lartë, si ndërtimi, mund ta përdorin këtë skemë për të formalizuar diferencat në pasqyrat financiare të viteve të fundit dhe për të “pastruar” bilancet historike.
Kundërshtime nga FMN, BE dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë
Para nisjes së zbatimit të ligjit, disa institucione ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bashkimin Europian dhe Dhomën Amerikane të Tregtisë, kundërshtuan miratimin e tij për shkak të rrezikut të pastrimit të parave.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ngriti shqetësimin se ligji lejon rideklarimin e pasqyrave financiare të viteve të mëparshme pa dokumentacion mbështetës ose justifikime të qarta, duke cenuar parimet bazë të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit. Edhe FMN paralajmëroi se ligji për paqen fiskale mund të minojë progresin e arritur në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore.
AIF dhe Tatimet paralajmërojnë monitorim të shtuar
Agjencia e Inteligjencës Financiare ka sqaruar se ligji nuk ofron asnjë imunitet administrativ apo penal për rastet e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit apo çdo vepre tjetër penale që lidhet me origjinën e paligjshme të fondeve.
Ndërkohë, prej datës 15 maj kanë nisur aplikimet për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale, të cilat do të qëndrojnë të hapura deri më 5 qershor 2026. Aplikimet kryhen online përmes sistemit e-Filing.
Administrata Tatimore ka paralajmëruar monitorim të shtuar të procesit përmes analizës së riskut, shkëmbimit të informacionit me Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe përdorimit të inteligjencës artificiale për të parandaluar abuzimet dhe pastrimin e parave.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)