Secondary Adv

Rivlerësimi i apartamenteve me 5 për qind, Tatimet arkëtojnë 16 milionë euro në tre muaj

Procesi i rivlerësimit të pronave me normën 5 për qind ka sjellë rreth 16 milionë euro të ardhura në buxhetin e shtetit gjatë periudhës shkurt-prill 2026, ndërsa numri i aplikimeve ka kaluar mbi 9 mijë.

Mbi 9 mijë aplikime për rivlerësimin e pronave

Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nga data 2 shkurt deri më 27 prill 2026 janë regjistruar në total 9,532 aplikime për rivlerësimin e pronave.

 

Nga këto aplikime, vetëm 22 për qind e qytetarëve kanë kryer pagesën e tatimit 5 për qind për rivlerësimin e pronës. Konkretisht, 2,114 aplikues kanë paguar tatimin, duke gjeneruar rreth 1.59 miliardë lekë të ardhura për administratën tatimore, ose rreth 16 milionë euro. Në total, ASHK ka përllogaritur që të ardhurat potenciale nga procesi i rivlerësimit për këtë periudhë arrijnë në rreth 3.2 miliardë lekë, ose afërsisht 34 milionë euro.

 

Mbi gjysma e aplikimeve ende të papaguara

Të dhënat tregojnë se 53 për qind e aplikimeve, ose 5,053 raste, rezultojnë me tatim të përllogaritur nga ASHK, por ende të papaguar nga qytetarët. Ndërkohë, 25 për qind e aplikimeve, ose 2,365 raste, janë refuzuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

 

Pjesa më e madhe e aplikimeve është përqendruar në Tiranë dhe Durrës. Rreth 42 për qind e totalit të kërkesave janë regjistruar në Tiranë, ndërsa 18 për qind në zonën Durrës-Kavajë-Krujë.

 

Në rrethe vijojnë çmimet e referencës së vitit 2016

Ndryshe nga Tirana, ku rivlerësimi kryhet mbi bazën e çmimeve të referencës të ndryshuara në vitin 2023, në rrethe procesi vijon ende me referencat e përcaktuara në vitin 2016. Kjo do të thotë se qytetarët që duan të rivlerësojnë pronat sipas vlerës reale të tregut duhet ta kryejnë procesin përmes ekspertëve privatë të licencuar.

 

Një shembull konkret është Durrësi, ku në projektin e ri të çmimeve të referencës për vitin 2025 propozohet që zona pranë Portit të ketë vlerë reference deri në 200 mijë lekë për metër katror. Megjithatë, për shkak se çmimet e reja ende nuk janë miratuar, rivlerësimi aktual kryhet me referencën e vitit 2016 prej 67,500 lekë për metër katror.

 

Drafti i ri i referencave ende pa miratim

Ministria e Financave kishte propozuar në korrik 2025 një hartë të re të çmimeve të referencës për rrethet, me rritje deri në 200 për qind në disa zona turistike dhe bregdetare. Propozimi përfshin ndarjen e re të zonave kadastrale dhe vendosjen për herë të parë të çmimeve të referencës edhe për fshatrat.

 

Në projekt janë përfshirë zona si Gjiri i Lalzit, Hamallaj, Dhërmiu, Palasa, Ksamili, Radhima dhe Orikumi, me çmime reference që variojnë nga 70 mijë deri në 190 mijë lekë për metër katror. Megjithatë, drafti ende nuk është miratuar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se grupi ndërinstitucional po vijon rishikimin e çmimeve për t’i afruar sa më shumë me realitetin e tregut.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat