Secondary Adv

E-Albania prezantoi platformën e re, por bizneset vijojnë të raportojnë probleme

Edhe pas prezantimit të faqes së re të E-Albania, bizneset dhe ekonomistët po raportojnë probleme të shumta teknike, që po pengojnë kryerjen normale të shërbimeve online.

Ekonomistët: Sistemi punon me ndërprerje

Financierët dhe ekonomistët shprehen se shumë shërbime nuk funksionojnë siç duhet ose platforma punon me ndërprerje, duke krijuar vështirësi serioze në përmbushjen e detyrimeve të përditshme. Sipas tyre, probleme raportohen sidomos te platforma e faturave, ku në shumë raste nuk mund të hyhet fare në sistem apo nuk hapet gjendja e arkës.

 

Ekonomistët thonë se situata është kthyer në një stres të vazhdueshëm, pasi detyrohen të shpenzojnë orë të tëra për procese që normalisht duhet të zgjasin vetëm pak minuta.

 

Vështirësi për bizneset fason dhe raportet shëndetësore

Bizneset raportojnë gjithashtu probleme në aplikimet për regjimin e përpunimit aktiv ose pasiv, procedura që përdoren kryesisht nga kompanitë fason.

 

Probleme shfaqen edhe për qytetarët që aplikojnë për barrëlindje apo raport shëndetësor, pasi sistemi shpesh jep gabime dhe nuk lejon përfundimin e aplikimit.

 

Nuk ngarkohen dokumentet për lejet

Sipas ekonomistëve, platforma ka probleme edhe në aplikimet për leje pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe bashkive, ku mungon opsioni për ngarkimin e dokumenteve.

 

Problemet prekin si aplikimet e reja, ashtu edhe ato që janë në proces, duke rrezikuar skadimin e afateve ligjore për dorëzimin e dokumentacionit.

 

Një tjetër shqetësim lidhet me menaxhimin e subjekteve të ndryshme nga ekonomistët. Ata raportojnë se edhe pasi dalin nga sistemi dhe tentojnë të hyjnë me një tjetër NIPT, platforma vazhdon të hapë të njëjtin subjekt.

 

AKSHI: Sistemi funksionon normalisht

Ndërsa Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, që administron platformën E-Albania, deklaron se sistemi funksionon normalisht, bizneset dhe financierët shprehen se problemet teknike vijojnë të jenë të shumta. Sipas tyre, puna e përditshme është vështirësuar ndjeshëm dhe ende nuk ka një zgjidhje konkrete për problemet e raportuara.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat