Secondary Adv

Afatet për përfitimin nga falja dhe paqja fiskale, Tatimet publikojnë datat për çdo procedurë

Administrata Tatimore ka publikuar kalendarin zyrtar të afateve për subjektet që përfitojnë nga ligji i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, si edhe nga procedurat e paqes fiskale.

Afatet për faljen e detyrimeve tatimore

Sipas njoftimit të Tatimeve, më 10 qershor 2026 nis pagesa e detyrimeve tatimore për subjektet që duan të përfitojnë nga ligji i faljes. Data 30 qershor 2026 është afati i fundit për pagesën njëherësh të 50% të detyrimit principal, në mënyrë që subjektet të përfitojnë nga fshirja e 50% të mbetur të principalit për detyrimet tatimore të periudhës 2015–2019.

 

E njëjta datë është edhe afati për dorëzimin e deklaratave të padorëzuara deri më 31 dhjetor 2024, për të përfituar nga falja e gjobave për deklarim të vonuar. Ndërkohë, data 30 nëntor 2026 është afati i fundit për paraqitjen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore të aktit të heqjes dorë nga ankimi administrativ.

 

Më 31 dhjetor 2026 përfundon afati për pagesën e 75% të detyrimit principal, me qëllim përfitimin nga fshirja e 25% të mbetur për detyrimet e periudhës 2015–2019. Po deri në këtë datë, subjektet mund të paguajnë 100% të principalit për detyrimet tatimore të viteve 2020–2024 dhe të përfitojnë nga fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave.

 

Afatet për “Paqen Fiskale”

Për sa i përket marrëveshjeve të “Paqes Fiskale”, administrata tatimore bën me dije se aplikimet në sistemin “e-Filing” kanë nisur më 15 maj 2026.

 

Afati i fundit për aplikimin në sistem për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 është data 5 qershor 2026. Subjektet që aplikojnë në ditën e fundit do të kenë kohë deri më 15 qershor 2026 për të ngarkuar në sistem marrëveshjen e nënshkruar.

 

Rideklarimi i pasqyrave financiare

Data 30 qershor 2026 është gjithashtu afati i fundit për tatimpaguesit që kanë deklaruar se do të kryejnë rideklarimin e pasqyrave financiare.

 

Brenda kësaj date, subjektet duhet të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor ku është ndryshuar deklarata, të dorëzojnë formularin për rideklarimin e elementëve të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve në Drejtorinë Rajonale Tatimore, si dhe të ngarkojnë në sistemin “e-Filing” pasqyrat financiare të rideklaruara.

 

Tatimet bëjnë me dije se subjektet duhet të paraqesin edhe sqarimet përkatëse për ndryshimet e kryera në pasqyrat financiare, ndërsa administrata rezervon të drejtën të kërkojë informacion shtesë.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat