Secondary Adv

Plani i Rritjes, BE miraton 158.9 mln euro fonde për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi

Komisioni Evropian ka miratuar një tjetër këst financimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria përfiton 49 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian njoftoi se ka disbursuar në total 158.9 milionë euro për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si pjesë e këstit të tretë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

 

Nga kjo shumë, Shqipëria do të përfitojë 49 milionë euro, Mali i Zi 44.2 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut 65.7 milionë euro. Pagesa lidhet me periudhën e tretë gjashtëmujore të raportimit, e cila përfshin reformat e realizuara deri në fund të dhjetorit 2025.

 

Reformat në biznes, inovacion dhe digjitalizim

Sipas Komisionit Evropian, fondet janë miratuar pas vlerësimit pozitiv të reformave të ndërmarra nga këto vende. Në rastin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, vlerësimi pozitiv lidhet me masat në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit, ndërsa për Maqedoninë e Veriut me reformat në arsim dhe digjitalizim.

 

“Me lirimin e sotëm të fondeve, shuma totale e miratuar në kuadër të Instrumentit arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

 

Sipas Brukselit, një pjesë e fondeve do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetet e shteteve përkatëse, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimesh përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

 

Fokus te transporti, energjia dhe kapitali njerëzor

Fondet që do të kalojnë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor pritet të mbështesin projekte infrastrukturore në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, zhvillimin digjital dhe kapitalin njerëzor. Plani i Rritjes konsiderohet si paketa më ambicioze financiare e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe kap vlerën totale prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027.

 

Fondet shpërndahen pjesërisht në formë grantesh dhe pjesërisht përmes kredive me kushte të favorshme. Objektivi kryesor i planit është integrimi gradual i vendeve të rajonit në tregun unik europian, forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimi i reformave të lidhura me BE-në dhe përshpejtimi i procesit të zgjerimit.

 

Kosova dhe Bosnja mbeten pas

Bosnja dhe Hercegovina mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë ende asnjë pagesë nga Plani i Rritjes, pasi ende nuk ka miratuar agjendën e reformave. Kosova mori pagesën e parë vetëm muajin e kaluar, me një parafinancim prej 61.8 milionë eurosh, pasi ratifikoi marrëveshjet përkatëse dhe dorëzoi dokumentacionin e kërkuar nga Komisioni Evropian.

 

Sipas BE-së, Kosova duhet të zbatojë 111 hapa reformash në fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

 

Afati i parë për realizimin e 13 reformave që lidhen me 90.8 milionë euro financim është 30 qershori i këtij viti, ndërsa deri në fund të vitit duhet të përmbushen edhe 27 reforma të tjera me vlerë 165.9 milionë euro. Ndërkohë Serbia ka marrë vetëm gjysmën e shumës së planifikuar për pagesën e parë, pasi sipas Komisionit Evropian nuk ka përmbushur të gjitha kushtet dhe reformat e kërkuara.

 

Burimi: REL


Më të lexuarat