Secondary Adv

Kadastra nis digjitalizimin, pezullohen ndërhyrjet në hartat fizike

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur zyrtarisht procesin kombëtar të digjitalizimit të hartave kadastrale, duke i dhënë fund gradualisht administrimit fizik të planshetave dhe duke kaluar të gjithë sistemin në format elektronik.

Përmes Udhëzimit nr. 423, datë 8 maj 2026, ASHK ka përcaktuar procedurat dhe afatet për realizimin e reformës, e cila do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe pritet të përfundojë më 7 dhjetor 2026.

 

Sipas udhëzimit, procesi synon unifikimin e procedurave në të gjitha drejtoritë vendore të ASHK-së, duke garantuar që hartat kadastrale të mos administrohen më në formë fizike, por vetëm në mënyrë digjitale.

 

Reforma mbështetet edhe nga projekti “BE-ja për të drejtat e pronës, faza II”, me fokus modernizimin e administrimit të pronës dhe rritjen e sigurisë juridike mbi pasuritë.

 

Pezullohen ndërhyrjet në planshetat fizike

Gjatë periudhës së digjitalizimit, drejtoritë vendore të ASHK-së do të pezullojnë të gjitha shërbimet që kërkojnë ndërhyrje në hartat fizike.

Po ashtu, nuk do të lejohen më korrigjime apo përditësime manuale në plansheta deri në përfundimin e procesit teknik të kalimit në format elektronik.

 

Çdo drejtori vendore do të caktojë persona përgjegjës për monitorimin e procesit, koordinimin me kompaninë kontraktore dhe kontrollin e cilësisë së produktit final.

Hartat fizike do t’i vihen në dispozicion kompanisë kontraktore sipas planit të punës dhe, pas përfundimit të procesit, ato do të arkivohen, ndërsa përdorimi i tyre në procedurat e përditshme të punës do të ndalohet.

 

Harta digjitale bëhet dokumenti i vetëm zyrtar

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të parashikuara në udhëzim është se harta kadastrale digjitale do të konsiderohet dokumenti i vetëm teknik zyrtar për pasqyrimin e pozicionit, përmasave dhe konfigurimit të pasurive.

 

Kjo do të thotë se të gjitha shërbimet e ardhshme të ASHK-së do të bazohen ekskluzivisht në të dhënat digjitale dhe qytetarëve apo institucioneve do t’u lëshohet vetëm harta elektronike.

 

Sipas ASHK-së, procesi synon të reduktojë problematikat që lidhen me mbivendosjet, pasaktësitë apo dëmtimet e dokumentacionit fizik, ndërsa pritet të ndikojë edhe në rritjen e transparencës dhe automatizimit të procedurave të pronësisë.

 

Digjitalizimi i plotë i hartave konsiderohet një nga reformat më të rëndësishme në sektorin e pronave, i cili historikisht ka qenë ndër më problematikët në administratën shqiptare.

 

Udhëzimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tij i është ngarkuar të gjitha drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat