Secondary Adv

Bordi ul çmimin naftës me 3 lekë për litër, por mbetet mbi 200 lekë

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen me 3 lekë për litër të çmimit të naftës, megjithatë gazoili vijon të mbetet mbi nivelin e 200 lekëve për litër në tregun vendas.

Në mbledhjen e zhvilluar më 20 maj 2026, Bordi përcaktoi çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi nga ora 18:20 e së njëjtës ditë dhe do të mbeten të vlefshme deri në vendimin e ardhshëm.

 

Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 është përcaktuar në jo më shumë se 202 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në jo më shumë se 190 lekë për litër.

 

Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 188 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 176 lekë për litër.

 

Bordi paralajmëron operatorët për zbatimin e vendimit

Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregut të hidrokarbureve për detyrimin e zbatimit të çmimeve të miratuara.

 

Sipas njoftimit, në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të shitjes me shumicë apo pakicë të nënprodukteve të naftës, do të aplikohen masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit.

 

Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se masa synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

 

Akciza mbetet në nivelin 100 për qind

Në sqarimin shoqërues, Bordi rikujton se sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i akcizës për gazoilin dhe benzinën ulet në 80 për qind vetëm në rast se çmimi me pakicë i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose benzina kalon 200 lekë për litër.

 

Me çmimet aktuale të vendosura nga Bordi, karburantet mbeten poshtë këtyre kufijve dhe për rrjedhojë akciza do të vazhdojë të zbatohet në nivelin e plotë 100 për qind.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat