Secondary Adv

Shqipëria e Bosnja janë për hapjen e tregtisë, skeptike Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Bizneset në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë mbështesin më shumë heqjen e barrierave tregtare në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Të dhënat dalin nga Barometri Rajonal i realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), ku bizneset e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë pyetur mbi rëndësinë e lehtësimit të tregtisë dhe reduktimit të barrierave administrative mes vendeve të rajonit.

 

Në total, rreth 70 për qind e kompanive të anketuara në rajon e konsiderojnë shumë të rëndësishme ose të rëndësishme heqjen e barrierave tregtare.

 

Shqipëria dhe Bosnja më mbështetëset për tregtinë rajonale

Në Shqipëri, rreth 75 për qind e bizneseve e konsiderojnë lehtësimin e tregtisë rajonale si shumë të rëndësishëm ose të rëndësishëm për aktivitetin e tyre ekonomik.

 

Vetëm 9 për qind e bizneseve shqiptare mendojnë se ky proces nuk ka rëndësi për aktivitetin e tyre, ndërsa një pjesë e vogël mbajnë qëndrim neutral.

 

Sipas raportit, sipërmarrjet shqiptare e shohin rajonin si një mundësi të rëndësishme për zgjerim ekonomik dhe rritje të eksporteve.

Edhe më i lartë rezulton mbështetja në Bosnje-Hercegovinë, ku rreth 88 për qind e kompanive të anketuara kërkojnë heqjen e barrierave tregtare me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

 

Vetëm 1 për qind e bizneseve boshnjake e konsiderojnë këtë proces të parëndësishëm, çka sipas raportit tregon një konsensus pothuajse të plotë në favor të hapjes tregtare.

 

Serbia më skeptikja ndaj integrimit rajonal

Serbia paraqitet si vendi më skeptik ndaj lehtësimit të tregtisë rajonale.

Vetëm 50 për qind e bizneseve serbe e konsiderojnë heqjen e barrierave si shumë të rëndësishme ose të rëndësishme, ndërsa 28 për qind deklarojnë se ky proces nuk ka asnjë rëndësi për aktivitetin e tyre.

 

Një tjetër 22 për qind mbajnë qëndrim neutral, çka sipas analizës lidhet edhe me faktin se ekonomia serbe është më e orientuar drejt tregjeve të Bashkimit Europian dhe më pak e varur nga tregtia rajonale.

 

Kosova dhe Mali i Zi pro integrimit tregtar

Kosova regjistron një nga nivelet më të larta të mbështetjes për hapjen tregtare.

Rreth 60 për qind e bizneseve kosovare e konsiderojnë procesin shumë të rëndësishëm, ndërsa 11 për qind e vlerësojnë si të rëndësishëm.

 

Megjithatë, rreth 17 për qind e bizneseve në Kosovë shprehen skeptike dhe mendojnë se heqja e barrierave nuk ka ndikim në aktivitetin e tyre.

 

Në Malin e Zi, rreth 68 për qind e kompanive mbështesin lehtësimin e barrierave tregtare, ndërsa vetëm 7 për qind e konsiderojnë procesin të parëndësishëm.

 

Maqedonia e Veriut me qëndrim më të rezervuar

Në Maqedoninë e Veriut, 67 për qind e bizneseve mbështesin lehtësimin e barrierave tregtare, por niveli i skepticizmit mbetet më i lartë krahasuar me Shqipërinë apo Bosnjën.

 

Sipas anketës, 17 për qind e kompanive mbajnë qëndrim neutral, ndërsa 9 për qind deklarojnë se procesi nuk ka rëndësi për aktivitetin e tyre.

 

Barometri i RCC-së tregon se, pavarësisht dallimeve mes vendeve, shumica e bizneseve në Ballkanin Perëndimor mbështesin integrimin ekonomik rajonal dhe e konsiderojnë lehtësimin e tregtisë si faktor kyç për rritjen ekonomike dhe zgjerimin e tregjeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat