Bashkia e Tiranës hap tenderin 4.5 mln euro për rikualifikimin urban të zonës Ali Demi
Bashkia e Tiranës ka çelur procedurën për një projekt të ri rikualifikimi urban në zonën e “Ali Demit”, me një fond limit prej rreth 445 milionë lekësh, ose afro 4.5 milionë euro.
Projekti përfshin ndërhyrje në bllokun e banimit të kufizuar nga bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Petro Nini Luarasi”, rruga “Taulantia” dhe rruga “Ali Demi”.
Sipas dokumenteve të tenderit, akset kryesore të zonës janë në gjendje relativisht të mirë dhe nuk kërkojnë ndërhyrje në trupin e rrugës. Përjashtim përbën rruga “Taulantia”, ku trotuarët rezultojnë të amortizuar dhe në disa pjesë mungojnë plotësisht.
Rikonstruksion i plotë për rrugët e brendshme
Rrugët e brendshme të bllokut, përfshirë “Shyqyri Ishmi” dhe “Zonja Çurre”, do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë. Projekti parashikon rindërtimin e mbistrukturës rrugore, rehabilitimin e rrjeteve inxhinierike dhe riorganizimin e hapësirave publike në një zonë ku infrastruktura është zhvilluar në mënyrë të çrregullt ndër vite.
Dokumentet teknike evidentojnë se mungesa e trotuareve ka bërë që këmbësorët të lëvizin në të njëjtën hapësirë me automjetet, ndërsa sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza paraqitet i amortizuar dhe me dëmtime të konsiderueshme. Po ashtu, sistemi ekzistues i ujërave të bardha nuk arrin të përballojë reshjet, ndaj projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kullues.
Ndriçim, gjelbërim dhe hapësira rekreative
Ndërhyrjet do të përfshijnë edhe përmirësimin e ndriçimit publik, kryesisht në rrugët “Zonja Çurre” dhe “Shyqyri Ishmi”, si dhe në hapësirat e brendshme të bllokut ku aktualisht mungon infrastruktura bazë.
Një pjesë e investimit lidhet edhe me rikthimin e hapësirave të gjelbëruara dhe mobilimit urban. Bashkia synon krijimin e këndeve të lojërave, terreneve sportive dhe zonave rekreative në sipërfaqe që sot konsiderohen jashtë funksionit.
Sipas dokumenteve të projektit, ndërhyrja është konceptuar në përputhje me planin pjesor të miratuar më herët nga Bashkia e Tiranës dhe synon transformimin e zonës me ndërhyrje të kufizuara dhe shpronësime minimale.