Secondary Adv

Konfindustria: Kompanitë e huaja po përjashtohen nga tenderat publikë

Konfindustria ka ngritur shqetësimin se operatorët e huaj po përballen me pengesa që, sipas saj, po e bëjnë pothuajse të pamundur pjesëmarrjen në tenderat publikë në Shqipëri.

Në një reagim zyrtar, administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, deklaroi se në shumë procedura prokurimi të organizuara nga agjenci dhe kompani shtetërore po përdoren kritere dhe akte nënligjore që bien ndesh me standardet e Bashkimit Evropian dhe favorizojnë fenomenin e ashtuquajtur “kapje e shtetit”.

 

Sipas Konfindustrisë, kjo situatë po ndikon negativisht në konkurrencë, duke rritur kostot e projekteve publike dhe duke dëmtuar cilësinë e investimeve infrastrukturore.

 

Shembulli i “Bypass-it të Elbasanit”

Konfindustria përmend si shembull dy tenderat ndërkombëtarë me vlerë rreth 70 milionë euro për projektet e “Bypass-it të Elbasanit”, të organizuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas reagimit, operatorëve të huaj u kërkohet që brenda një afati prej 30 ditësh të kryejnë ekuivalentimin e licencave profesionale pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Megjithatë, Konfindustria pretendon se vetë procedura administrative për shqyrtimin e licencave tejkalon afatin e përcaktuar në kushtet e tenderit, duke e bërë praktikisht të pamundur pjesëmarrjen e kompanive të huaja. “Në mënyrë absurde, në afatin kufi prej 30 ditësh pjesëmarrësve të huaj u kërkohet ekuivalentimi i licencave profesionale, ndërkohë që vetë procesi i shqyrtimit tejkalon afatin e përcaktuar”, thuhet në reagim.

 

“Kosto më të larta dhe më pak konkurrencë”

Konfindustria argumenton se përjashtimi i operatorëve të huaj nga tenderat publikë dëmton interesin publik dhe ekonominë kombëtare. Sipas saj, mungesa e konkurrencës sjell rritje të kostove financiare të projekteve deri në 2.3 herë më të larta se standardet e Bashkimit Evropian, si dhe ndikon në uljen e cilësisë së punimeve infrastrukturore.

 

Organizata përmend si shembuj problematikat me rrugë, tunele dhe investime të tjera publike që, sipas saj, kanë sjellë dëme të konsiderueshme financiare.

 

Sektorët më të prekur

Sipas Konfindustrisë, sektorët më të prekur nga kjo situatë janë infrastruktura, energjia dhe teknologjia. Në listën e institucioneve të përmendura përfshihen Autoriteti Rrugor Shqiptar, hekurudhat, portet, OST, OSHEE, KESH dhe AKSHI.

 

Konfindustria paralajmëron se këto praktika mund të ndikojnë negativisht edhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke krijuar probleme në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për konkurrencën dhe prokurimet publike.

 

Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat