Konflikti për aeroportin e Vlorës, qeveria paralajmëron ndërhyrje dhe penalitete
Qeveria shqiptare ka paralajmëruar ndërhyrje ligjore për të garantuar përfundimin dhe hapjen në afat të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa përplasjet mes aksionerëve privatë kanë sjellë vonesa dhe bllokim të punimeve.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se aeroporti i Vlorës konsiderohet një projekt strategjik me rëndësi kombëtare dhe se vonesat nuk përbëjnë më vetëm një çështje biznesi privat. Sipas tij, çdo ditë vonesë sjell pasoja ekonomike për sektorin e turizmit, komunitetin lokal dhe vetë buxhetin e shtetit.
“Çdo ditë vonesë apo bllokim përkthehet në humbje ekonomike të matshme për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit”, deklaroi Karakaçi.
Qeveria paralajmëron përdorimin e klauzolave kontraktore
Deklaratat e ministrit vijnë në një moment kur konflikti mes palëve private të përfshira në projekt ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, duke sjellë përplasje gjyqësore dhe pezullim të punimeve në kantier. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaroi se nuk është palë në konfliktin civil mes aksionerëve, por theksoi se shteti nuk do të lejojë që mosmarrëveshjet private të pengojnë funksionalizimin e një infrastrukture strategjike.
“Asnjë nuk ka të drejtë të mbajë peng një infrastrukturë me rëndësi kombëtare”, u shpreh Karakaçi.
Sipas ministrit, qeveria është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet ligjore dhe kontraktore për të garantuar vijimin e projektit, përfshirë aktivizimin e klauzolave të penaliteteve. Ai paralajmëroi se mund të kërkohet edhe një plan mitigues për përballimin e pasojave të konfliktit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes së afateve kontraktore apo edhe zgjidhja e njëanshme e kontratës në rast se situata nuk normalizohet.
Shqetësime për turizmin dhe investimet
Ministri tha se Ministria e Infrastrukturës ka monitoruar të gjitha fazat e ndërtimit dhe ka verifikuar përputhshmërinë me kushtet e koncesionit, por shprehu shqetësim për dëmin reputacional që konfliktet po i shkaktojnë projektit dhe klimës së investimeve në Shqipëri. Sipas tij, situata po dërgon sinjale negative edhe për investitorët e huaj.
Ndërkohë, operatorë të sektorit turistik kanë paralajmëruar se vonesat në hapjen e aeroportit po krijojnë pasiguri për sezonin veror. Disa kompani turistike kanë pezulluar ose anuluar kontrata, pasi paketat dhe fluturimet charter drejt jugut të Shqipërisë ishin planifikuar mbi pritshmërinë që aeroporti të hynte në operim gjatë këtij viti.
Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zhvillimin e turizmit në jug të vendit dhe për zgjerimin e aksesit të tregut ndërkombëtar drejt rivierës shqiptare.