Secondary Adv

Ashpërsohen rregullat për landfillet, objektiv reduktimi i mbetjeve të depozituara

Shqipëria po përgatit një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si do të menaxhohen landfillet dhe depozitimi i mbetjeve, përmes një projektvendimi të ri të publikuar për konsultim publik nga Ministria përgjegjëse për mjedisin.

Drafti synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet më të fundit të Bashkimit Europian, duke vendosur objektiva konkrete për reduktimin drastik të mbetjeve që përfundojnë në landfill dhe duke orientuar sistemin drejt ekonomisë qarkulluese.

 

Sipas relacionit shoqërues, projektvendimi “Për landfillet e mbetjeve” përcakton rregulla të reja për projektimin, ndërtimin, funksionimin dhe mbylljen e landfilleve, si dhe kriteret për pranimin apo përjashtimin e mbetjeve në kategori të ndryshme depozitimi. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është objektivi që deri në vitin 2045 vetëm 10% e mbetjeve totale të depozitohen në landfill, ndërsa pjesa tjetër të trajtohet përmes riciklimit, ripërdorimit apo proceseve të tjera të rikuperimit.

 

Drafti parashikon gjithashtu ndalimin progresiv të depozitimit të mbetjeve të riciklueshme dhe të patrajtuara në landfill. Pas 31 dhjetorit 2035, mbetjet që mund të riciklohen apo rikuperohen nuk do të pranohen më në landfille, duke e afruar Shqipërinë me objektivat e BE-së për reduktimin e ekonomisë lineare dhe uljen e ndotjes mjedisore.

 

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me mbetjet biodegradueshme. Projektvendimi parashikon që brenda tre viteve nga hyrja në fuqi e aktit, sasia e mbetjeve biodegradueshme të depozituara në landfill të reduktohet në 50% të nivelit të vitit 2010, ndërsa brenda 10 viteve të bjerë në 35%.

 

Në draft theksohet edhe forcimi i kontrollit mbi operatorët e landfilleve. Për herë të parë parashikohen në mënyrë të detajuar garancitë financiare që operatorët duhet të mbajnë për operimin, mbylljen dhe monitorimin afatgjatë të landfillit, për të paktën 30 vite pas mbylljes së tij. Këto garanci do të përdoren në raste ndotjeje, falimentimi apo mosrespektimi të kushteve mjedisore.

 

Projektvendimi adreson edhe problematikën e venddepozitimeve të paligjshme historike. Drafti përcakton procedura të reja për rehabilitimin dhe mbylljen e tyre, si dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, bashkive, AKEM dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

 

Relacioni shpjegues thekson se kostot për zbatimin e standardeve të reja nuk do të mbulohen nga buxheti i shtetit, por nga operatorët e landfilleve përmes tarifave dhe mekanizmave financiarë të parashikuar në legjislacion, duke zbatuar parimin “ndotësi paguan”. /ekofin.al


Më të lexuarat