Instat: Shqipëria humbet mbi 6,700 nxënës në një vit
Sistemi arsimor në Shqipëri po përballet me një tjetër sinjal të fortë tkurrjeje demografike.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT për vitin shkollor 2025-2026 tregojnë se numri i nxënësve të regjistruar në arsimin parauniversitar ka rënë me 1.7% krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar vijimin e tendencës së rënies së lindjeve dhe emigracionit të familjeve të reja. Pra 6781 me pak në një vit shkollor.
Sipas statistikave zyrtare, këtë vit janë regjistruar gjithsej 399.258 nxënës në arsimin parauniversitar, nga 405.989 një vit më parë. Tkurrja më e fortë evidentohet në arsimin 9-vjeçar, ku numri i nxënësve ka rënë me 2.7%, një tregues që ekspertët e lidhin drejtpërdrejt me boshatisjen graduale të zonave periferike dhe emigracionin e vazhdueshëm të popullsisë në moshë të re.
Në total, në arsimin bazë janë regjistruar 243.764 nxënës, ndërsa mbi 87% e tyre ndjekin shkollat publike. Rënia në këtë cikël konsiderohet veçanërisht shqetësuese, pasi pasqyron tendencën afatgjatë të tkurrjes së popullsisë shkollore në vend.
Edhe arsimi i mesëm i lartë vijon të japë sinjale dobësimi. Sipas INSTAT, këtë vit janë regjistruar 88.837 nxënës, ose 0.4% më pak krahasuar me vitin shkollor 2024-2025. Brenda këtij niveli, vetëm 19.4% e nxënësve kanë zgjedhur arsimin profesional, ndërsa vajzat përbëjnë vetëm 17.2% të regjistrimeve në këtë profil, çka tregon se arsimi profesional vijon të mbetet pak tërheqës, sidomos për vajzat.
Në kontrast me rënien në shkolla, kopshtet shënuan një rritje të lehtë. Numri i fëmijëve të regjistruar në arsimin parashkollor arriti në 66.343, ose 0.7% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, ekspertët e lexojnë këtë si një stabilizim të përkohshëm dhe jo si ndryshim të trendit demografik.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se sistemi publik vijon të dominojë arsimin në Shqipëri. Rreth 85.8% e fëmijëve në kopshte, 87.6% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar dhe 84.8% e nxënësve të arsimit të mesëm ndjekin institucione publike.
Ndërkohë, arsimi i lartë paraqitet më i qëndrueshëm. Gjatë vitit akademik 2025-2026 janë regjistruar 115.782 studentë në universitete. Programet Bachelor numërojnë mbi 60 mijë studentë, ndërsa në programet Master janë regjistruar rreth 48 mijë studentë. Vajzat dominojnë dukshëm në arsimin universitar, duke përbërë 56.8% të studentëve në Bachelor dhe 67.6% në Master.
Fusha më e preferuar e studimit mbetet “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar rreth një e katërta e studentëve. Pas saj renditen “Shëndet dhe mirëqenie” dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim”.
Por, pavarësisht stabilitetit relativ në universitete, tabloja e përgjithshme e arsimit në vend mbetet e lidhur ngushtë me krizën demografike. Shqipëria po humbet gradualisht popullsinë në moshë të re dhe kjo po reflektohet vit pas viti në bankat e shkollave.
Rënia e regjistrimeve nuk shihet më vetëm si çështje arsimore, por si tregues i drejtpërdrejtë i transformimeve sociale dhe ekonomike që po kalon vendi. Më pak nxënës sot nënkuptojnë më pak fuqi punëtore nesër, më pak konsum dhe presion më të madh mbi sistemin ekonomik dhe social në dekadat e ardhshme./ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)