Më shumë se gjysma e pensioneve janë të pjesshme, shkak kontributet dhe nëndeklarimet e pagave
Puna në të zezë, e paregjistruar në organet tatimore dhe pa kontribute të derdhura, vijon të shpërfaqet me pasoja negative për xhepin e pensionistëve.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se 353 mijë pensione pleqërie janë të pjesshme, nga afro 640 mijë pensionistë në total, si pasojë e viteve të pamjaftueshme të punës dhe kontributeve të ulëta të derdhura gjatë jetës aktive. Sipas ISSH-së, numri i pensioneve të pjesshme është rritur krahasuar me vitin 2024, kur rezultonin rreth 316 mijë pensionistë në këtë kategori.
Në një përgjigje zyrtare për Report TV, Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë lidhur rreth 55 mijë pensione të reja, ndërsa përfituesit kishin mesatarisht vetëm 24 vite e 6 muaj punë të siguruar, nga 38 vite e 8 muaj që kërkohen për pension të plotë.
Pensionet mbeten të ulëta
Për shkak të kontributeve të reduktuara dhe viteve të pakta të sigurimit, pensionet në Shqipëri vijojnë të mbeten në nivele të ulëta. Pensioni mesatar urban në fund të vitit 2025 arriti në 20.123 lekë, vetëm 514 lekë më shumë krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë pensioni rural u rrit me 435 lekë, duke arritur në 12.313 lekë.
Sipas të dhënave zyrtare, pensioni mesatar urban përfaqësonte vetëm 23% të pagës mesatare në vend, që në vitin 2025 ishte 86.984 lekë. Në raport me pagën minimale prej 50 mijë lekësh që aplikohet këtë vit, pensioni urban përfaqëson rreth 40% të saj. Pensioni rural rezulton edhe më i ulët, pasi përbën vetëm 13% të pagës mesatare dhe rreth 24% të pagës minimale aktuale.
Puna në të zezë dhe pagat e padeklaruara
Ekspertët theksojnë se një nga arsyet kryesore të pensioneve të ulëta mbetet puna informale dhe fshehja e pagës reale nga bizneset. Shumë punonjës kanë rezultuar të siguruar për paga më të ulëta sesa ato që kanë përfituar realisht, çka ka sjellë pagesë më të vogël të kontributeve dhe për rrjedhojë pensione të reduktuara në momentin e daljes në pension.
Puna e paregjistruar në organet tatimore dhe mungesa e derdhjes së kontributeve vijojnë të krijojnë pasoja afatgjata për mijëra qytetarë që sot përfitojnë pensione minimale ose të pjesshme.
Skema e pensioneve mbetet nën presion
Përveç informalitetit, skema e pensioneve po ndikohet edhe nga zhvillimet demografike, ulja e lindjeve dhe emigracioni i forcës së punës. Sot, për çdo 100 pensionistë kontribuojnë rreth 117 të punësuar, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030 kjo shifër do të bjerë në 113 kontribuues.
Si pasojë, skema e pensioneve në Shqipëri vijon të mbetet deficitare prej më shumë se një dekade, duke u mbështetur çdo vit me financime shtesë nga buxheti i shtetit.