Secondary Adv

5.2 miliardë lekë për fermerët, hapen aplikimet për skemën kombëtare

Fermerët mund të aplikojnë nga sot për 12 masa financimi në bujqësi dhe blegtori.

Ministria e Bujqësisë ka hapur nga sot aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026, e cila parashikon mbështetje financiare për fermerët përmes 12 masave direkte dhe investimeve. Fondi total i dedikuar për këtë skemë arrin në 5.2 miliardë lekë dhe synon të mbështesë prodhimin vendas, formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

 

Lajmi u bë publik nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi skemën si një tjetër hap konkret për mbështetjen e bujqësisë shqiptare. Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Andis Salla, u bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë përmes portalit e-Albania për të përfituar nga masat mbështetëse që ofron programi i këtij viti.

 

Mbështetje më e lartë për blegtorinë dhe bletarinë

Skema e re sjell ndryshime të rëndësishme për fermat e vogla, duke ulur kriteret për përfitim dhe duke rritur financimet. Për tufat e gjedhit, blegtorët do të përfitojnë 12 mijë lekë për çdo krerë lopë, për sa kohë kanë të paktën 5 krerë, nga minimumi prej 10 krerësh që kërkohej më parë. Për bagëtitë e imta, financimi rritet nga 1.200 lekë në 1.500 lekë për krerë për tufa me jo më pak se 50 krerë, ndërsa më parë kërkoheshin 100 krerë.

 

Për herë të parë përfshihet financimi për dosat dhe paradosat, ku fermerët do të përfitojnë 7 mijë lekë për çdo krerë për tufa me të paktën 5 krerë. Ndërkohë edhe sektori i bletarisë përfiton rritje të mbështetjes financiare. Financimi shkon në 20 mijë lekë për zgjua për ferma me jo më pak se 25 koshere, ndërsa më parë kufiri minimal ishte 50 koshere.

 

Hiqet skema e naftës pa taksa

Skema e re nuk përfshin më naftën pa taksa për fermerët. Ministria e Bujqësisë argumenton se skema e mëparshme nuk ka funksionuar plotësisht dhe është shoqëruar me raste abuzimi. Në vend të saj, fermerët do të duhet të pajisen me faturë nga grumbulluesit ose agroturizmat kur shesin produktet e tyre, në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi me 10 për qind që nis nga 1 korriku.

 

12 masa mbështetëse dhe investimesh

Skema Kombëtare 2026 përfshin masa direkte për tufat bazë të matrikulluara të gjedhit dhe të imtave, mbështetjen e bletarisë, fermat organike, kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike, certifikimin Global GAP, sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme. Po ashtu janë parashikuar masa investimi për fermerët e rinj, ndërtimin dhe rikonstruksionin e stanesh, si edhe për pajisje, makineri dhe mjete për modernizimin e proceseve të punës në bujqësi.

 

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat