Secondary Adv

Buxheti mbështetet te ndërtimi, sjell gati 50 për qind të rritjes së të ardhurave në 4 mujor

Rritja e fortë e të ardhurave në buxhet po mbështetet kryesisht nga boom-i i ndërtimeve.

Ndërsa të ardhurat buxhetore për katërmujorin e parë të vitit 2026 shënuan një rritje të fortë me 11.7 për qind, analiza e të dhënave fiskale tregon se pjesa më e madhe e kësaj rritjeje lidhet me vrullin e ndërtimeve në vend. Ministria e Financave raportoi se të ardhurat totale për periudhën janar-prill arritën në 275.7 miliardë lekë, ose 28.8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Megjithatë, sipas të dhënave fiskale, shtesa më e madhe e të ardhurave nuk ka ardhur nga përmirësimi i performancës së bizneseve apo prodhimit, por nga të ardhurat e pushtetit vendor, të lidhura kryesisht me taksën e ndikimit në infrastrukturë që paguhet nga projektet e ndërtimit.

 

Pushteti vendor solli gati gjysmën e shtesës së të ardhurave

Të ardhurat nga pushteti vendor për katërmujorin arritën në 26.3 miliardë lekë, me një rritje prej 118 për qind krahasuar me një vit më parë. Vetëm ky zë solli 14.2 miliardë lekë më shumë në buxhet, ose afro 150 milionë euro, duke përbërë pothuajse 50 për qind të gjithë rritjes së të ardhurave totale për periudhën.

 

Përmasat e këtij efekti bëhen më të dukshme duke parë peshën që zëri “pushteti vendor” ka marrë në totalin e të ardhurave. Për katërmujorin 2026 ai përbënte rreth 10 për qind të të ardhurave totale, nga vetëm 5 për qind që ishte një vit më parë. Në të njëjtën kohë, të ardhurat tatimore dhe doganore përbënin 62 për qind të totalit, ndërsa fondet speciale rreth 24 për qind.

 

Lejet e ndërtimit dominojnë bregdetin dhe Tiranën

Në mungesë të përditësimit të të dhënave të INSTAT për sipërfaqet e lejeve të ndërtimit, treguesi i të ardhurave të pushtetit vendor po konsiderohet si një nga matësit më të qartë të boom-it të ndërtimeve në vend.

 

Katër mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë shqyrtuar qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, që përfshijnë projekte turistike, rezidenciale, infrastrukturore dhe energjetike. Në fokus janë kryesisht projektet në bregdet, ku kërkesat për ndërtime shumëkatëshe janë bërë gjithnjë e më të zakonshme.

 

Leje ndërtimi janë kërkuar në zona si Palasa, Himara, Saranda dhe Shëngjini. Në Shëngjin janë paraqitur projekte për ndërtesa me 17 dhe 27 kate, ndërsa në zonën e Golemit janë propozuar objekte me 24 kate mbi tokë dhe disa struktura aparthotelesh me 8, 11 dhe 16 kate. E njëjta situatë paraqitet edhe në Vlorë.

 

Në mbledhjen e 17 prillit janë shqyrtuar disa projekte në Tiranë me funksion banimi dhe hotelerie, që arrijnë deri në 45 kate. Po ashtu janë përfshirë projekte si hotel me 36 kate në Qerret të Kavajës dhe struktura polifunksionale hotelerie e banimi me 18 kate në Velipojë. Në mbledhjet e 24 dhe 29 prillit vijuan kërkesat për ndërtime shumëkatëshe në Tiranë, Fushë Krujë dhe sidomos në bregdet, përfshirë projekte rezidenciale dhe hotelerie me deri në 33 kate në Vlorë.

 

Ngadalësohet efekti i pagave në buxhet

Sipas të dhënave fiskale, tatimet dhe doganat sollën 7.7 miliardë lekë më shumë në buxhet, ose vetëm 27 për qind të shtesës totale të të ardhurave. Ndërsa fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, kontribuan me 7.4 miliardë lekë shtesë, ose rreth 26 për qind të rritjes.

 

Ekspertët vlerësojnë se ky zë po shfaq shenja ngadalësimi krahasuar me vitin e kaluar, duke reflektuar ritme më të ulëta të rritjes së pagave. Nëse përjashtohet efekti i të ardhurave nga ndërtimet, të ardhurat tatimore do të ishin rritur me vetëm rreth 15 miliardë lekë, ose 6.1 për qind, çka nënkupton një rritje reale shumë pranë zeros, duke marrë parasysh inflacionin pranë nivelit 3 për qind dhe pritshmëritë për rritje ekonomike prej 3.5 për qind gjatë vitit.

 

16 milionë euro të ardhura nga rivlerësimi i pasurive

Edhe procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka sjellë të ardhura shtesë për buxhetin. Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nga 9.532 aplikime për rivlerësim gjatë periudhës shkurt-prill janë arkëtuar rreth 1.6 miliardë lekë, ose afërsisht 16 milionë euro.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat