Secondary Adv

Turizmi sërish me rritje në prill, të huajt 8.8 për qind më shumë se një vit më parë

Prilli solli mbi 891 mijë të huaj në Shqipëri, duke vijuar trendin pozitiv të turizmit.

Turizmi në Shqipëri ka vijuar ecurinë pozitive edhe gjatë muajit prill 2026, duke shënuar muajin e dytë radhazi me rritje të ndjeshme të hyrjeve të shtetasve të huaj në vend. Pas rritjes me 11 për qind në mars, të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në prill hyrjet e të huajve u rritën me 8.8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

 

Sipas publikimit të INSTAT për lëvizjen e shtetasve, gjatë muajit prill 2026 hynë në territorin e Shqipërisë gjithsej 1.617.841 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke regjistruar një rritje prej 8.8 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025. Ndërkohë, nga territori shqiptar dolën 1.602.018 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 7.9 për qind më shumë se një vit më parë.

 

Mbi 891 mijë të huaj hynë në Shqipëri

Të dhënat tregojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 726.427 persona, me një rritje prej 8.7 për qind, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj u regjistruan në 891.414 persona, ose 8.8 për qind më shumë krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

 

Sa i përket rajoneve nga vijnë turistët, Evropa Jugore ka kontribuar me 74 për qind të hyrjeve nga kontinenti europian, ndërsa Evropa Perëndimore me 11 për qind. INSTAT thekson se në 98 për qind të rasteve hyrjet e shtetasve të huaj kanë qenë për qëllime personale, tregues që ka shënuar rritje me 9.2 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025. Ndërkohë hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 4.7 për qind.

 

Edhe daljet nga Shqipëria shënuan rritje gjatë muajit prill. Shtetasit shqiptarë që dolën nga vendi arritën në 742.088 persona, me rritje prej 8.5 për qind, ndërsa shtetasit e huaj që lanë territorin shqiptar ishin 859.930 persona, ose 7.3 për qind më shumë se një vit më parë.

 

Operatorët turistikë presin sezon pozitiv

Operatorët turistikë mbeten optimistë për vijimin e sezonit gjatë vitit 2026 dhe presin një ecuri të ngjashme me vitin e kaluar. Sipas tyre, përveç promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik, ndikim pozitiv mund të ketë edhe konflikti në Lindjen e Mesme, i cili po shtyn një pjesë të turistëve të ndryshojnë planet e pushimeve drejt vendeve më të sigurta, ku përfshihet edhe Shqipëria.

 

Pavarësisht një nisjeje më të ngadaltë të vitit në janar dhe shkurt për shkak të motit të pafavorshëm, pranvera ka sjellë rritje të tureve kulturore dhe turistëve individualë. Sinjale pozitive për sezonin veror kanë ardhur edhe nga kontratat me garanci që operatorët kanë lidhur për muajt e verës.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat