Secondary Adv

Shoqata e Transportit: Nga qershori, bileta e autobusit 30 lekë më shumë nëse paguhet me kartë

Operatorët paralajmërojnë rritje kostosh nëse pagesat me kartë bëhen të detyrueshme në autobusë.

Nga 1 qershori, përdorimi i terminaleve POS/POI në sektorin e transportit publik urban mund të sjellë rritje të ndjeshme të kostos së biletës për qytetarët që zgjedhin të paguajnë me kartë bankare. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron se një biletë autobusi, që aktualisht kushton 40 lekë, mund të rëndohet me të paktën 30 lekë shtesë për shkak të tarifave bankare të aplikueshme për transaksionet elektronike.

 

Sipas njoftimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri më 30 maj të gjitha bizneset që kryejnë shitje me para në dorë, përfshirë edhe operatorët e transportit publik, duhet të pajisen me terminale POS/POI për pagesa elektronike.

 

Operatorët paralajmërojnë kosto të larta

Shoqata e Transportit argumenton se sektori urban funksionon me numër shumë të lartë transaksionesh dhe me vlerë shumë të ulët për çdo pagesë individuale, ndaj tarifat bankare e bëjnë sistemin ekonomikisht të vështirë për t’u zbatuar.

 

Sipas të dhënave të komunikuara nga bankat, vetëm tarifa fikse për çdo transaksion arrin në 30 lekë ose 0.30 euro, pa përfshirë komisionet përqindëse për kartat VISA dhe MasterCard, kostot e instalimit, mirëmbajtjes dhe procedurat e tjera operative. Për kartat kombëtare komisionet arrijnë deri në 2.70 për qind për transaksion, ndërsa për kartat ndërkombëtare deri në 3.20 për qind.

 

Përveç këtyre, operatorët duhet të përballojnë komision instalimi prej 5 mijë lekësh për terminalin POS, tarifë mujore mirëmbajtjeje prej 1 mijë lekësh, tarifë mos-përdorimi po prej 1 mijë lekësh në muaj, si dhe kosto kontraktuale që mund të arrijnë deri në 50 mijë lekë për pajisje. Në raste të procedurave “chargeback”, aplikohet edhe tarifë shtesë prej 500 lekësh për rast.

 

Letër institucioneve për sqarime

Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Transportit Rrugor, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon sqarime mbi mënyrën e zbatimit të sistemit të pagesave elektronike.

 

Operatorët kërkojnë të dinë nëse instalimi i pajisjeve POS/POI do të jetë i detyrueshëm në çdo autobus urban, si do të realizohen pagesat me kartë duke pasur parasysh fluksin e lartë të pasagjerëve dhe kohën e kufizuar në stacione, si dhe nëse janë përcaktuar tavane për komisionet bankare për sektorin e transportit publik.

 

Shoqata kërkon gjithashtu sqarim nëse kostot shtesë do të mbulohen nga operatorët, qytetarët apo do të subvencionohen nga shteti. Po ashtu ngrihen pyetje për ekzistencën e një modeli të unifikuar pagesash elektronike për transportin publik, si karta abonimi, QR, karta qytetare elektronike apo aplikacione celulare.

 

Kërkohet periudhë tranzitore

Operatorët e transportit publik kërkojnë që për sektorin të parashikohet një periudhë tranzitore, duke argumentuar se implementimi i sistemit kërkon investime teknike, trajnim të stafit dhe përshtatje të infrastrukturës ekzistuese.

 

Në reagimin e saj, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas thekson se mbështet nismat për formalizim dhe modernizim, por vlerëson se natyra e transportit publik urban, tarifat e ulëta dhe numri shumë i lartë i transaksioneve ditore kërkojnë një analizë të veçantë teknike dhe ekonomike përpara zbatimit të plotë të sistemit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat