300 mln lekë për rehabilitimin e 7 digave, miratohen fondet
Qeveria shqiptare ka miratuar financimin e shtatë projekteve për rehabilitimin dhe ndërhyrjet emergjente në diga dhe rezervuarë, me një fond total prej mbi 300 milionë lekësh të shpërndarë për vitet 2026 dhe 2027.
Sipas Vendimit nr. 358, datë 20 maj 2026, të publikuar në Fletoren Zyrtare, projektet do të financohen përmes fondit të digave dhe do të zbatohen në disa bashki të vendit, me synimin për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës hidrike.
Fondi total i miratuar arrin në 300.1 milionë lekë, ndërsa për vitin 2026 Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të financojë rreth 149.3 milionë lekë. Pjesa tjetër e financimit është planifikuar për vitin 2027.
Projekti më i madh në Tepelenë
Projekti me vlerën më të lartë lidhet me rehabilitimin e digës së rezervuarit Turan në Bashkinë Tepelenë.
Kostoja totale e ndërhyrjes arrin në 75.4 milionë lekë, nga të cilat 32.4 milionë lekë do të financohen gjatë vitit 2026, ndërsa 43 milionë lekë janë planifikuar për vitin pasardhës.
Në Bashkinë Peqin do të financohet rehabilitimi i digës së rezervuarit në fshatin Vashaj, me një fond total prej 37.9 milionë lekësh. Për vitin 2026 janë parashikuar 19.7 milionë lekë.
Ndërhyrje edhe në Pukë, Lezhë dhe Finiq
Për Bashkinë Pukë është miratuar projekti për rritjen e qëndrueshmërisë së digës së ujëmbledhësit Kukaj, me një fond total prej 38.9 milionë lekësh. Nga kjo shumë, 20.2 milionë lekë do të financohen gjatë këtij viti.
Në Bashkinë Lezhë do të realizohet ndërhyrja emergjente për riparimin e digës Kallmet, me një vlerë totale prej 39.7 milionë lekësh. Financimi për vitin 2026 arrin në 20.6 milionë lekë.
Ndërkohë, në Bashkinë Finiq është miratuar rehabilitimi i rezervuarit të Pandalejmonit, me një fond total prej 26.8 milionë lekësh, ku 13.9 milionë lekë janë planifikuar të disbursohen gjatë këtij viti.
Financime edhe për Vorën dhe Skraparin
Për Bashkinë Vorë është miratuar projekti për rehabilitimin e digës Shargë, me një kosto totale prej 46.5 milionë lekësh. Nga kjo shumë, 24.2 milionë lekë do të financohen gjatë vitit 2026.
Në Bashkinë Skrapar do të financohet rehabilitimi i digës së rezervuarit Staraveckë, me një fond total prej 34.6 milionë lekësh, ku 18 milionë lekë janë planifikuar për vitin aktual.
Projektet synojnë ndërhyrje në infrastrukturën ekzistuese të digave dhe rezervuarëve, për të parandaluar rreziqet potenciale dhe për të përmirësuar sigurinë hidrike në zonat përkatëse.