Shqipëria ndan nga buxheti më pak për paga se Rajoni
Shqipëria vijon të ketë nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në raport me ekonominë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa fondet për pagat në sektorin publik mbeten ndër më të ulëtat në rajon.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, shpenzimet totale publike në Shqipëri llogariten në rreth 29 deri në 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2025, ndjeshëm më pak krahasuar me vende si Mali i Zi apo Bosnjë-Hercegovina, ku buxhetet publike kalojnë nivelin e 40 për qind të PBB-së.
Megjithëse operon me një buxhet më të kufizuar, Shqipëria vazhdon të ruajë një nivel relativisht të lartë të investimeve publike, duke alokuar rreth 5 për qind të PBB-së për shpenzime kapitale, një tregues që në disa raste rezulton më i lartë edhe se ai i vendeve fqinje me buxhete më të mëdha.
Paga publike më të ulëta në Ballkanin Perëndimor
Nga ana tjetër, pesha e fondit të pagave në sektorin publik mbetet më e ulëta në rajon. Shqipëria shpenzon rreth 5 për qind të PBB-së për pagat e administratës publike, ndërkohë që në vende si Serbia apo Kosova ky tregues është dukshëm më i lartë.
Sipas analizës, një nga arsyet kryesore lidhet me hapësirën e kufizuar fiskale dhe nivelin më të ulët të të ardhurave që mbledh shteti shqiptar krahasuar me rajonin.
Shqipëria arkëton të ardhura buxhetore në nivelin e rreth 28 për qind të PBB-së, ndërsa në shumicën e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ky raport luhatet mes 35 dhe 40 për qind.
Pesha e pensioneve dhe ndihmës sociale
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit në Shqipëri shkon për përfitime sociale, kryesisht pensione dhe ndihmë ekonomike.
Sipas të dhënave, përfitimet sociale zënë rreth 11 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke kufizuar hapësirën për rritjen e mëtejshme të pagave në administratë.
Gjatë vitit 2025, qeveria tentoi të ndryshojë pjesërisht këtë balancë përmes rritjes së pagave dhe indeksimit të përfitimeve sociale, në përpjekje për të zbutur hendekun e të ardhurave dhe presionin e kostos së jetesës.
Investime të larta, por me pikëpyetje për efektivitetin
Modeli fiskal i ndjekur nga Shqipëria vijon të orientojë një pjesë të madhe të fondeve publike drejt investimeve infrastrukturore dhe projekteve kapitale.
Nga pikëpamja makroekonomike, alokimi i rreth 5 për qind të PBB-së për investime konsiderohet një strategji zhvillimi, pasi synon krijimin e aseteve afatgjata dhe stimulimin e rritjes ekonomike.
Megjithatë, efektiviteti i këtyre investimeve është vënë shpesh në diskutim për shkak të hetimeve të SPAK lidhur me projekte të mëdha publike, përfshirë kontratat PPP, inceneratorët dhe projekte të digjitalizimit.
Sipas analizës, rastet e dyshuara të fryrjes së kostove dhe abuzimeve kanë krijuar një faturë të dyfishtë për ekonominë: fondet publike janë shpenzuar, ndërsa në disa raste qytetarët nuk kanë marrë shërbimet apo produktet për të cilat është paguar.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi eficiencën e modelit aktual të investimeve publike dhe ndikimin real të tyre në zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)