350 mln lekë për Rrugën e Bregdetit, Bashkia Kavajë hap garën, projekti synon lehtësimin e trafikut
Bashkia e Kavajës ka hapur tenderin për fazën e parë të projektit “Rruga e Bregdetit”, me një fond prej rreth 350 milionë lekësh.
Bashkia e Kavajës ka hapur garën për fazën e parë të projektit “Rruga e Bregdetit”, një investim me vlerë rreth 350 milionë lekë që synon rikonstruksionin e një prej akseve kryesore hyrëse të qytetit dhe lehtësimin e trafikut drejt Durrësit, Tiranës dhe veriut të vendit.
Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti përfshin rikonstruksionin e segmentit që nis nga rrethrrotullimi në kryqëzimin me autostradën Durrës–Rrogozhinë dhe përfundon në kryqëzimin me rrugën “Taulantia” dhe shëtitoren “Josif Budo”.
Gjatësia totale e aksit është 1 kilometër e 377 metra.
Rikonstruksion i plotë i aksit ekzistues
Në dokumentacionin teknik thuhet se rruga aktuale paraqet dëmtime në shtresat asfaltike, ndërsa është konstatuar edhe bazament i dobët dhe shtresa jo uniforme në segmentin ekzistues.
Projekti i ri parashikon rindërtimin e plotë të aksit duke ruajtur gjurmën aktuale të rrugës.
Sipas Bashkisë së Kavajës, ndërhyrja synon jo vetëm përmirësimin e qarkullimit të automjeteve, por edhe transformimin urban të një prej hyrjeve kryesore të qytetit, me standarde më të larta sigurie dhe aksesueshmërie.
Tre korsi dhe korsi biçikletash
Plani teknik parashikon eliminimin e trafikndarësit aktual dhe organizimin e rrugës me një karrexhatë të vetme me tre korsi.
Njëra korsi do të përdoret për hyrjen në qytet, ndërsa dy korsitë e tjera do të shërbejnë për daljen nga Kavaja.
Në anën perëndimore të aksit do të ndërtohet edhe një korsi biçikletash, ndërsa projekti përfshin trotuare të reja, bordura dekorative, parmakë metalikë dhe rikonstruksion të mureve rrethuese përgjatë segmentit.
Nuk parashikohen prishje objektesh
Në dokument theksohet se ndërhyrja do të realizohet duke respektuar kuotat ekzistuese të ndërtesave dhe hyrjeve të banesave, me qëllim shmangien e problematikave urbane.
Po ashtu, projekti nuk parashikon prishje objektesh përgjatë segmentit.
Një pjesë e rëndësishme e investimit lidhet edhe me ndërtimin e sistemit të ndriçimit rrugor, i cili do të vendoset në të dy anët e aksit.
Gjithashtu do të realizohet sinjalistika horizontale dhe vertikale sipas standardeve dhe Kodit Rrugor në fuqi.
Synohet lehtësimi i trafikut dhe transformimi urban
Me këtë investim, Bashkia e Kavajës synon rehabilitimin e një segmenti të rëndësishëm rrugor që lidh qytetin me autostradën Durrës–Rrogozhinë dhe përmirësimin e aksesit drejt zonave turistike dhe urbane.
Projekti konsiderohet gjithashtu pjesë e planit për transformimin urban të hyrjeve kryesore të qytetit dhe krijimin e një infrastrukture më funksionale për qytetarët dhe trafikun automobilistik.