Secondary Adv

Çmimet e larta ulin konsumin e naftës në prill, zhdoganohen 52 mijë ton

Rritja e çmimeve të karburanteve gjatë muajve të fundit duket se ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e konsumit të naftës në vend, teksa të dhënat zyrtare tregojnë rënie të importeve dhe zhdoganimeve për herë të parë pas disa vitesh.

Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë muajit prill 2026 u zhdoganuan rreth 52 mijë ton karburante, nga 60.7 mijë ton që ishin importuar në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

 

Kjo përkthehet në një rënie prej rreth 8.7 mijë tonësh krahasuar me një vit më parë, ndërsa niveli i importeve rezulton më i ulët edhe në raport me prillin e vitit 2024.

 

Importet bien edhe në 4-mujor

Tendenca rënëse nuk kufizohet vetëm te muaji prill.

Për periudhën janar-prill 2026, importet totale të karburanteve arritën në 207.7 mijë ton, ose rreth 11.7 mijë ton më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Sipas operatorëve të tregut, ndikimi kryesor lidhet me rritjen e fortë të çmimeve të naftës dhe benzinës në muajt mars dhe prill, pas tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

 

Gjatë kësaj periudhe, çmimi i karburanteve në tregun vendas arriti deri në rreth 224 lekë për litër, ndërsa nivelet e shitjes kanë vijuar të ndryshojnë pothuajse çdo ditë në bazë të vendimeve të Bordit të Transparencës.

 

Rriten importet e cigareve, kafesë dhe birrës

Ndryshe nga karburantet, mallrat e tjera të akcizës kanë shfaqur tendencë rritjeje gjatë muajit prill.

Sipas të dhënave doganore, importet e cigareve arritën në 264 ton, me një rritje prej 31 tonësh krahasuar me prillin e vitit 2025.

 

Edhe importet e kafesë rezultuan më të larta, duke arritur në 962 ton, ose 149 ton më shumë se një vit më parë.

Në rritje ishte edhe importi i birrës. Gjatë muajit prill u zhdoganuan 4630 ton birrë, nga 3825 ton që ishin importuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Turizmi pritet të rrisë konsumin gjatë verës

Megjithatë, nëse analizohen të dhënat për katërmujorin e parë të vitit, rritje paraqesin vetëm importet e cigareve, ndërsa kafeja dhe birra rezultojnë në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

 

Pritshmëritë e tregut janë që nisja e sezonit turistik veror të sjellë një rritje të konsumit në muajt në vijim, sidomos për mallrat e akcizës dhe produktet e lidhura me sektorin e shërbimeve.

 

Operatorët presin që aktiviteti më i lartë ekonomik gjatë sezonit veror dhe shtimi i turistëve vendas e të huaj të ndikojë pozitivisht në kërkesën për karburante, birrë, kafe dhe produkte të tjera konsumi.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat