Secondary Adv

Qeveria heq licencat për kimikatet e rrezikshme, drafti i ri synon lehtësim për bizneset

Qeveria po përgatit ndryshime ligjore për heqjen e licencimit të bizneseve që merren me kimikate të rrezikshme.

Qeveria po përgatit ndryshime në ligjin për menaxhimin e kimikateve, duke synuar eliminimin e regjimit të licencimit për bizneset që prodhojnë, magazinojnë apo tregtojnë kimikate të rrezikshme, si pjesë e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.

 

Projektligji i hartuar nga Ministria e Mjedisit parashikon ndryshime në ligjin nr. 27/2016 “Për menaxhimin e kimikateve”, me argumentin se licencimi aktual konsiderohet një barrierë administrative dhe tregtare që bie ndesh me parimet europiane për lëvizjen e lirë të mallrave.

 

Sipas relacionit shoqërues, detyrimi për pajisje me licencë është vlerësuar si një masë me efekt të ngjashëm me kufizimet sasiore për importin dhe eksportin, çka bie në kundërshtim me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së.

 

Lehtësim i procedurave për bizneset

Ndryshimet synojnë të thjeshtojnë procedurat administrative për bizneset që prodhojnë, vendosin në treg, depozitojnë apo ruajnë kimikate të rrezikshme.

 

Drafti parashikon gjithashtu shmangien e mbivendosjes së kompetencave mes institucioneve dhe krijimin e një sistemi më fleksibël për përditësimin e listave teknike të substancave të rrezikshme.

 

Një nga ndryshimet kryesore është përcaktimi i ministrisë përgjegjëse për tregtinë si autoriteti i vetëm kompetent për kontrollin në treg të kimikateve.

 

Me këtë ndryshim hiqet ndarja aktuale e kompetencave me ministrinë përgjegjëse për industrinë.

 

Po ashtu, drafti eliminon dispozitat që lidhen me kontrollin e pajisjes me licencë dhe sanksionet administrative për mungesën apo shkeljen e kushteve të saj.

 

Ndryshojnë procedurat për listat e substancave të rrezikshme

Projektligji parashikon edhe ndryshim në mënyrën e miratimit të listave të substancave me rrezikshmëri shumë të lartë, të njohura si SVHC, si dhe listës së substancave kandidate.

 

Sipas draftit, këto lista nuk do të miratohen më me vendim të Këshillit të Ministrave, por me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin.

 

Qeveria argumenton se këto lista kanë karakter teknik dhe kërkojnë përditësim të shpeshtë në përputhje me ndryshimet e legjislacionit europian, sidomos me rregulloret REACH dhe CLP.

 

Sipas relacionit, miratimi me urdhër ministri do të mundësojë reagim më të shpejtë dhe përshtatje më fleksibël me standardet e Bashkimit Europian.

 

Megjithatë, kriteret për përfshirjen e substancave në listën SVHC dhe autorizimet për përdorimin e tyre do të vijojnë të miratohen me vendim qeverie.

 

Pjesë e procesit të integrimit europian

Ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian, veçanërisht me Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” dhe Kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave”.

 

Relacioni thekson se projektligji nuk synon ende përafrimin e plotë me një akt specifik të BE-së, por krijon bazën ligjore për harmonizim më të shpejtë dhe më fleksibël në fazat e ardhshme.

 

Sipas qeverisë, ndryshimet do të ndihmojnë në reduktimin e barrës administrative për bizneset dhe në krijimin e një kuadri më modern dhe më të përshtatshëm për tregun europian.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat