Secondary Adv

BE mund ti mohojë vendeve të reja anëtare, përfshirë Shqipërisë, të drejtën e vetos

Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë që vendeve të reja anëtare, përfshirë Shqipërinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, t’u kufizohet përkohësisht e drejta e vetos pas anëtarësimit në union.

Sipas planeve që po diskutohen në Komisionin Europian, vendet kandidate që do të anëtarësohen në BE nuk do ta kenë automatikisht të drejtën e vetos për çështje të caktuara që kërkojnë unanimitet, si politika e jashtme apo taksat. Masa synon të shmangë bllokimet institucionale dhe të bëjë zgjerimin më të pranueshëm politikisht për vendet skeptike ndaj pranimeve të reja. 

 

Debati është intensifikuar pas përvojës me Hungarinë dhe vetove të qeverisë së Viktor Orbán ndaj vendimeve të rëndësishme europiane, përfshirë paketat financiare për Ukrainën. Në këtë kontekst, zyrtarët europianë po shqyrtojnë “masa mbrojtëse” që do të kufizonin përkohësisht fuqinë bllokuese të anëtarëve të rinj. 

 

Mali i Zi si modeli i parë

Ideja konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për Malin e Zi, i cili shihet si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Sipas dokumentit, një kufizim i përkohshëm i së drejtës së vetos mund të përfshihet në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi dhe më pas të përdoret si model edhe për shtetet e tjera kandidate, përfshirë Shqipërinë. 

 

Zyrtarët europianë argumentojnë se kjo masë do të ishte vetëm e përkohshme dhe nuk synon krijimin e “anëtarëve të kategorisë së dytë”, por mbrojtjen e funksionimit të unionit në një BE më të zgjeruar. 

 

Gjermania kërkon “zgjidhje kreative”

Kancelari gjerman Friedrich Merz u ka kërkuar liderëve të BE-së “zgjidhje inovative” për të përshpejtuar zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Në letrën e tij, ai e cilësoi zgjerimin si “domosdoshmëri gjeopolitike” dhe propozoi gjithashtu një formë “anëtarësimi të asociuar” për Ukrainën, që do t’i jepte Kievit pjesëmarrje në institucionet europiane, por pa të drejtë vote. 

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e kundërshtoi këtë ide, duke deklaruar se Ukraina kërkon anëtarësim të plotë dhe me të drejta të barabarta në Bashkimin Europian.

 

Shqipëria dhe zgjerimi deri në 2030

Komisioni Europian ka deklaruar më herët se zgjerimi i unionit mund të ndodhë deri në vitin 2030, duke identifikuar Shqipërinë dhe Malin e Zi si vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në negociatat e anëtarësimit. Zyrtarët europianë argumentojnë se zgjerimi është bërë prioritet strategjik pas luftës në Ukrainë dhe rritjes së ndikimit rus dhe kinez në rajon. 

 

Sipas burimeve diplomatike të cituara në dokument, shtyrja e së drejtës së vetos shihet si një “zgjidhje konstruktive” për të shmangur paralizimin institucional të një BE-je me më shumë se 35 shtete anëtare. 

 

Ekspertët europianë argumentojnë se kjo formulë mund të përdoret edhe si mekanizëm mbrojtës ndaj rrezikut që një shtet i ri anëtar të ndryshojë orientim politik pas anëtarësimit, për shembull në rastin e një qeverie pro-ruse në Ballkanin Perëndimor. 

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat