Secondary Adv

Interesat e kredisë për shtëpi qëndruan të ulëta edhe në tremujorin e parë

Normat e interesit për kreditë e banesave në Lekë kanë mbetur në nivele të ulëta edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa tregu i huadhënies për shtëpi po jep shenja të qarta ngadalësimi.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për portofolin e kredive për blerje banesash në Lekë ishte 3.17% në tremujorin e parë të vitit, pothuajse e pandryshuar nga niveli 3.19% i fundit të vitit 2025. Ndërkohë, për kreditë në Euro interesi është rritur lehtë në 5.28%, nga 5.18% që ishte në fund të vitit të kaluar.

 

Rritja e interesit për kreditë në Euro lidhet kryesisht me lëvizjen në rritje të Euriborit dhe pritshmëritë për presione më të larta inflacioniste pas rritjes së çmimeve të naftës në muajin mars. Në të kundërt, treguesit benchmark për Lekun kanë mbetur të qëndrueshëm pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

 

Kërkesa për kredi banese në rënie

Pavarësisht interesave të ulëta, tregu i kredive për shtëpi ka hyrë në një fazë frenimi. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, kërkesa e individëve për financimin e blerjes së banesave ka rënë në muajt e parë të vitit 2026.

 

Bankat raportojnë se ndikim kanë pasur vonesat në miratimin e akteve nënligjore që shoqërojnë ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, por edhe kufizimet rregullatore të vendosura nga Banka e Shqipërisë që prej korrikut 2025.

 

Të dhënat tregojnë se sektori bankar dha 13.5 miliardë lekë kredi të re për shtëpi në periudhën janar-mars 2026, ose 14.9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe pse gjatë marsit u vu re një rikuperim i lehtë, rënia e dy muajve të parë përcaktoi rezultatin negativ të tremujorit.

 

Bankat më të kujdesshme ndaj tregut të pasurive

Ngadalësimi i kreditimit lidhet edhe me qasjen më konservatore të disa bankave, për shkak të shqetësimeve mbi ciklin e tregut të pasurive të paluajtshme, sidomos në Tiranë.

 

Sipas indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, çmimet mesatare të banesave gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 u rritën me 28% krahasuar me një vit më parë, megjithëse ritmi i rritjes është ngadalësuar ndjeshëm nga 41.7% që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit.

 

Në Tiranë, tregu po jep sinjale më të forta ftohjeje. Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me vetëm 4.4% në bazë vjetore, nga 32.6% që ishte rritja në gjysmën e parë të vitit 2025.

 

Kufizimet e reja për kreditë

Që nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime të reja për standardet e kreditimit të banesave, me synim frenimin e rritjes së shpejtë të huadhënies për individët.

 

Për kreditë në Lekë, raporti maksimal i kredisë ndaj vlerës së banesës është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për të dytën. Për kreditë në valutë, kufijtë janë më të ulët, përkatësisht 75% dhe 70%.

 

Po ashtu, raporti i këstit të kredisë ndaj të ardhurave është kufizuar në 40% për shtëpinë e parë në Lekë dhe 35% për të dytën, ndërsa për kreditë në valutë kufijtë zbresin në 35% dhe 30%.

 

Megjithatë, pavarësisht ngadalësimit të muajve të fundit, kredia për shtëpi mbetet në nivele historikisht të larta pas një cikli shtatëvjeçar rritjeje të vazhdueshme. Gjatë vitit 2025, huadhënia për blerje banesash u rrit me 17.3% krahasuar me vitin paraardhës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat