INSTAT: Mbi 245 mijë shqiptarë në varfëri të skajshme
Mbi 10% e popullsisë në Shqipëri vazhdon të përballet me vështirësi ekstreme ekonomike dhe pamundësi për të përballuar nevojat bazë të jetesës, tregojnë të dhënat më të fundit të INSTAT.
Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, të rishikuar mbi bazën e Censusit të Popullsisë 2023, rreth 245,015 individë në vend klasifikohen në kategorinë e varfërisë së skajshme. Treguesi bazohet në vetëdeklarimin e familjeve për aftësinë e tyre për të përballuar jetesën e përditshme.
Të dhënat tregojnë se përqindja e familjeve që deklarojnë se “jetojnë me shumë vështirësi” ka rënë në 10.2% në vitin 2024, nga 18% që ishte në vitin 2021. Megjithatë, INSTAT sqaron se kjo rënie statistikore lidhet kryesisht me rikalibrimin e të dhënave sipas strukturës së re demografike të Censusit dhe jo domosdoshmërisht me një përmirësim real të standardit të jetesës.
Privime të forta materiale
Familjet që klasifikohen në këtë kategori përballen me mungesa të theksuara ekonomike dhe sociale. Sipas përshkrimit të treguesit, ato kanë vështirësi serioze për të mbuluar edhe shpenzimet minimale të përditshme dhe nuk disponojnë kursime për situata emergjente.
Kjo kategori e popullsisë përjeton vonesa të vazhdueshme në pagesën e energjisë elektrike, ujit, qirasë apo detyrimeve të tjera bazë, ndërsa rrezikon shpesh ndërprerjen e shërbimeve për shkak të pamundësisë financiare.
Varfëria prek drejtpërdrejt edhe ushqimin dhe kushtet e jetesës. Shumë familje nuk arrijnë të sigurojnë një dietë të plotë ushqimore, duke mos pasur mundësi të konsumojnë mish, peshk apo produkte të ngjashme të paktën një herë në dy ditë.
Gjatë dimrit, një pjesë e madhe e këtyre familjeve nuk arrijnë të mbajnë banesat ngrohtë, situatë që ndikon veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit.
Pamundësi për pajisjet bazë
Të dhënat tregojnë gjithashtu se familjet në varfëri të skajshme kanë vështirësi edhe për të zëvendësuar pajisjet më bazike elektro-shtëpiake, si frigoriferët apo lavatriçet.
Sipas analizës së INSTAT, kjo shtresë e popullsisë mbetet jashtë përfitimeve të rritjes së përgjithshme ekonomike dhe kërkon politika të posaçme sociale dhe mbështetje të targetuar nga shteti.
Ekspertët theksojnë se varfëria e skajshme mbetet një nga sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike në vend, sidomos në kushtet e rritjes së kostos së jetesës dhe emigracionit të lartë.