Secondary Adv

Kredi fermerëve me prodhimin bujqësor si garanci, qeveria miraton projektligjin

Qeveria ka miratuar një projektligj të ri që u mundëson fermerëve të përdorin prodhimet bujqësore ose rezervat e magazinuara si kolateral për të siguruar financim.

Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” synon të lehtësojë aksesin në financim për fermerët dhe depozituesit e produkteve bujqësore përmes një sistemi elektronik që regjistrohet në platformën e Ministrisë së Bujqësisë dhe në regjistrin e barrëve siguruese. Në praktikë, fermerët do të mund të përdorin si garanci prodhimin që pritet të korrin ose produktet që kanë të depozituara në magazina. 

 

Si do të funksionojë skema e re

Sipas draftit, fermerët që kanë në pronësi ose në përdorim tokë bujqësore dhe kultivojnë apo planifikojnë të kultivojnë produkte bujqësore do të mund të aplikojnë online në portalin e-Albania për të lëshuar një dëftesë tregtare mbi prodhimin e ardhshëm. Financimi do të jepet kundrejt këtij kolaterali, ndërsa interesi nuk mund të jetë më i lartë se norma mesatare efektive mujore e interesit të kredive bankare të publikuar nga Banka e Shqipërisë për muajin paraardhës.

 

Ligji përcakton se vlera e produktit bujqësor të vendosur si garanci nuk mund të jetë më e ulët se detyrimi kryesor, interesat dhe kostot e tjera të financimit. Në rast se prodhimi nuk arrin sasinë ose cilësinë e nevojshme, fermeri do të duhet ta zëvendësojë atë me një kolateral tjetër me vlerë të barabartë.

 

Korrjet e ardhshme mund të përdoren si garanci shtesë

Projektligji parashikon mbrojtje të zgjeruar për kreditorët. Nëse fermeri nuk arrin të zëvendësojë produktin e munguar, si kolateral do të konsiderohen automatikisht edhe korrjet e sezonit pasues nga e njëjta tokë bujqësore, deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Nëse kjo nuk mjafton, fermeri mund të ofrojë pasuri të tjera, por vetëm me miratimin e kreditorit.

 

Drafti u jep gjithashtu kreditorëve të drejtën të monitorojnë tokën, produktet, magazinat dhe procesin e kultivimit ose magazinimit, duke njoftuar fermerin të paktën 24 orë përpara kontrollit. Në rast se konstatohet rrezik për cilësinë apo sasinë e prodhimit, kreditori mund të kërkojë masa korrigjuese ose përmbushje të parakohshme të detyrimit. 

 

Produkti i magazinuar mund të përdoret për financim

Përveç prodhimit të ardhshëm, projektligji krijon mundësinë që edhe produktet bujqësore të magazinuara të përdoren si garanci për kredi. Në rast mospagese, kreditori mund të kërkojë shitjen e produkteve të vendosura si barrë siguruese jo më herët se dy ditë pas maturimit të detyrimit. Të ardhurat nga shitja do të përdoren fillimisht për mbulimin e kostove dhe pagesën e magazinuesit, më pas për shlyerjen e kreditorit, ndërsa çdo shumë e mbetur do t’i kalojë fermerit ose depozituesit.

 

Dëftesa tregtare bëhet titull ekzekutiv

Një nga elementët më të rëndësishëm të projektligjit është statusi i dëftesës tregtare si titull ekzekutiv. Kjo do të thotë se në rast mospërmbushjeje të detyrimeve, kreditori mund të nisë procedurat e ekzekutimit përmes përmbaruesit pa kaluar në procese të gjata gjyqësore. Dëftesat do të mund të tregtohen dhe transferohen tek kreditorë të tjerë, ndërsa të gjitha ndryshimet do të regjistrohen automatikisht në sistemin elektronik. 

 

Sipas projektligjit, të gjitha procedurat do të kryhen online nëpërmjet e-Albania dhe regjistri elektronik i dëftesave do të jetë publik dhe pa pagesë për konsultim. Qeveria do të miratojë brenda gjashtë muajve aktet nënligjore që do të përcaktojnë formatet e dëftesave, mënyrën e funksionimit të regjistrit elektronik dhe rregullat teknike të sistemit. 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat