Secondary Adv

Transporti publik dhe POS-et: Shtyhet afati, Tatimet paralajmërojnë pa penalitete të menjëhershme

Detyrimi për vendosjen e pajisjeve POS në transportin publik hyn në fuqi sipas afateve ligjore, por Administrata Tatimore ka sinjalizuar se procesi do të kalojë në një fazë tranzitore pa penalitete të menjëhershme për operatorët.

Vetëm dy ditë para afatit të përcaktuar për instalimin e pajisjeve POS, shoqatat e transportit urban dhe interurban deklarojnë se sektori nuk është ende gati për zbatimin e sistemit. Operatorët kërkojnë shtyrje të afatit, duke argumentuar se mungojnë kushtet teknike dhe nuk është sqaruar ende mënyra e përballimit të kostove të transaksioneve bankare.

 

Shoqatat: Sistemi nuk është ende gati

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, tha se operatorët përballen me një sërë paqartësish që e bëjnë të vështirë zbatimin e menjëhershëm të sistemit.

 

Sipas tij, transporti publik vijon të përdorë bileta fizike tradicionale dhe nuk ekziston ende një sistem i fiskalizuar i biletës elektronike. Gjithashtu mbeten të paqarta procedurat e lidhjes së pagesave me bankat, mënyra e funksionimit të pajisjeve në autobusë dhe kostot shtesë që lidhen me internetin apo mirëmbajtjen teknike.

 

Një tjetër problem i ngritur nga operatorët është mungesa e infrastrukturës për shitjen e biletave online apo nëpërmjet aplikacioneve, si edhe mungesa e pikave të pajisura me terminale pagese në stacionet e nisjes dhe mbërritjes.

 

Kostoja e komisionit mbetet pika më e debatueshme

Shqetësimi kryesor i sektorit lidhet me komisionin bankar për pagesat me kartë. Sipas operatorëve, për një biletë urbani me vlerë 40 lekë, kostoja fikse e transaksionit mund të arrijë deri në 30 lekë, çka do të rriste ndjeshëm çmimin për qytetarët nëse kjo kosto do të transferohej te pasagjeri.

 

Operatorët kërkojnë sqarim se kush do ta përballojë këtë kosto: qytetarët, kompanitë e transportit apo institucionet publike.

 

Tatimet: Nuk ka shtyrje, por as gjoba të menjëhershme

Administrata Tatimore ka sqaruar se aktualisht nuk parashikohet shtyrje e afatit ligjor për vendosjen e POS-eve, por nga ana tjetër nuk do të ketë penalitete të menjëhershme për subjektet që ende nuk i kanë instaluar pajisjet.

 

Sipas përfaqësuesve të administratës, fokusi kryesor i nismës është mbështetja e turizmit dhe krijimi i mundësisë që turistët të kryejnë pagesa me kartë bankare gjatë përdorimit të transportit publik.

 

Autoritetet theksojnë se procesi do të zhvillohet gradualisht, ndërsa operatorët duhet të vijojnë përgatitjet për zbatimin e sistemit pa u përballur menjëherë me masa ndëshkuese.

 

Diskutime me bankat dhe Ministrinë e Ekonomisë

Burime nga procesi bëjnë të ditur se shqetësimet e ngritura nga sektori po diskutohen me Ministrinë e Ekonomisë, e cila koordinon kalimin drejt pagesave pa para në dorë. Në të njëjtën kohë janë zhvilluar takime edhe me bankat për të analizuar kostot e transaksioneve dhe alternativat për mbulimin e tyre.

 

Çështja kryesore që mbetet e hapur është mënyra se si do të shpërndahet kostoja e pagesave elektronike, një vendim që pritet të kërkojë ndërhyrje në nivel politikash publike.

 

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka paralajmëruar se pa një zgjidhje për kostot dhe pa ngritjen e infrastrukturës së nevojshme teknike, procesi mbetet i vështirë për t’u zbatuar në kushtet aktuale të transportit urban në vend.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat