Depozitat i rikthehen rritjes në prill, në një vit kursimet në banka u shtuan me 1.75 mld euro
Pas dy muajsh rënie, depozitat bankare u rikthyen në rritje në prill, ndërsa kursimet e shqiptarëve u shtuan me rreth 1.75 miliardë euro krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill depozitat në lekë të individëve, bizneseve dhe institucioneve të tjera arritën në 737 miliardë lekë. Krahasuar me muajin mars, kursimet në monedhën vendase u rritën me 10.7 miliardë lekë ose 1.5 për qind, duke rikuperuar rënien e regjistruar gjatë dy muajve të mëparshëm.
Në muajin mars depozitat në lekë kishin rënë me 6 miliardë lekë, ndërsa në shkurt me 4.3 miliardë lekë. Megjithatë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kursimet në lekë janë rritur me 97 miliardë lekë, ose rreth 15 për qind.
Individët dhe bizneset mbështetën rritjen
Rikthimi në rritje gjatë prillit u mbështet si nga depozitat e individëve ashtu edhe nga ato të bizneseve. Këto të fundit kishin pësuar tkurrje në muajt shkurt dhe mars, pas një rritjeje të fortë në janar, periudhë që tradicionalisht ndikohet nga pagesat buxhetore për kompanitë që realizojnë punë publike.
Në të njëjtën kohë, depozitat në valutë vijuan tendencën pozitive, megjithëse me ritme më të moderuara. Në fund të prillit, kursimet në valutë arritën në 8.8 miliardë euro, me një rritje mujore prej 35 milionë eurosh, e njëjtë me ritmin e muajit mars.
Depozitat në euro rriten me 747 milionë euro
Në krahasim me prillin e vitit 2025, depozitat në valutë janë zgjeruar me 747 milionë euro, ose 9.3 për qind. Kjo tregon se kursimet e qytetarëve dhe bizneseve vazhdojnë të rriten si në monedhën vendase ashtu edhe në atë të huaj.
Banka e Shqipërisë raporton stokun total të depozitave të konvertuara në lekë. Në fund të prillit, vlera totale e kursimeve në sistemin bankar arriti në rreth 1.5 trilionë lekë, shumë pranë rekordit historik të regjistruar në janar, kur depozitat kapën nivelin e 1.51 trilionë lekëve ose mbi 15 miliardë euro.
Mbi 1.75 miliardë euro më shumë kursime në një vit
Nga prilli i vitit 2025 deri në prillin e vitit 2026, depozitat në sistemin bankar janë rritur me rreth 1.75 miliardë euro. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka ardhur nga kursimet në lekë, të cilat kontribuan me rreth 57 për qind të shtesës totale, ose afërsisht 1 miliard euro. Ndërkohë, depozitat në euro dhanë një kontribut prej rreth 747 milionë eurosh.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht luhatjeve mujore, tendenca afatgjatë e kursimeve në sistemin bankar mbetet pozitive, me depozitat që vijojnë të arrijnë nivele historikisht të larta.