Shqipëria me ligj të posaçëm për IA, çfarë ndalohet dhe kush do ta mbikëqyrë
Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e parë për Inteligjencën Artificiale, në përputhje me modelin e Bashkimit Europian.

Projektligji, i cili përbëhet nga 106 nene dhe 13 anekse, është ndërtuar kryesisht mbi Aktin Europian të Inteligjencës Artificiale (AI Act) dhe konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme të legjislacionit digjital në vend. Ai synon të krijojë një ekuilibër mes nxitjes së inovacionit teknologjik dhe mbrojtjes së qytetarëve nga rreziqet që mund të vijnë nga algoritmet, sistemet automatike të vendimmarrjes dhe modelet gjeneruese të inteligjencës artificiale.
Dokumenti prek një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë bankat, sigurimet, shëndetësinë, arsimin, tregtinë elektronike, platformat online dhe përdorimin e inteligjencës artificiale nga administrata publike. Sipas relacionit shoqërues, qëllimi kryesor është garantimi i një përdorimi të besueshëm, transparent dhe të sigurt të IA-së, në përputhje me standardet europiane dhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Sistemet me rrezik të lartë nën mbikëqyrje të rreptë
Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është klasifikimi i sistemeve të inteligjencës artificiale sipas nivelit të rrezikut. Vëmendja më e madhe i kushtohet sistemeve të konsideruara “me rrezik të lartë”, të cilat përdoren në fusha si punësimi, arsimi, shëndetësia, kreditimi, sigurimet, infrastruktura kritike dhe procese të rëndësishme vendimmarrëse. Për këto sisteme kërkohen kontrolle të forta, dokumentim teknik, vlerësim konformiteti, cilësi e lartë e të dhënave dhe mbikëqyrje njerëzore e vazhdueshme.
Praktikat që do të ndalohen me ligj
Projektligji ndalon një sërë përdorimesh të inteligjencës artificiale që konsiderohen të papranueshme. Mes tyre përfshihen manipulimi i fshehtë i sjelljes së njerëzve, shfrytëzimi i dobësive të personave të cenueshëm, krijimi i sistemeve të “vlerësimit social” të qytetarëve dhe parashikimi i kriminalitetit bazuar vetëm në profilizimin e individëve. Po ashtu, ndalohet krijimi i databazave për njohjen e fytyrës përmes grumbullimit masiv të imazheve nga interneti ose kamerat e sigurisë.
Përdorimi i identifikimit biometrik në kohë reale në hapësira publike do të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, si kërkimi i personave të zhdukur, parandalimi i sulmeve terroriste ose hetimi i krimeve të rënda, dhe vetëm me autorizim gjyqësor dhe garanci të forta për mbrojtjen e të drejtave themelore.
Detyrime të reja për bizneset dhe start-up-et
Kompanitë që zhvillojnë ose hedhin në treg sisteme të inteligjencës artificiale do të duhet të dokumentojnë funksionimin e tyre, të vlerësojnë rreziqet, të garantojnë transparencë dhe të raportojnë incidentet serioze. Nga ana tjetër, ekzistenca e një kuadri të qartë ligjor pritet të rrisë besimin e investitorëve dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e industrisë teknologjike dhe start-up-eve shqiptare.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e “sandbox”-eve rregullatore, mjedise të kontrolluara ku kompanitë dhe zhvilluesit do të mund të testojnë produkte inovative të inteligjencës artificiale nën mbikëqyrjen e autoriteteve, pa u përballur menjëherë me të gjitha kërkesat rregullatore. Kjo synon të mbështesë inovacionin dhe zhvillimin e teknologjive të reja në tregun shqiptar.
AKSHI do të koordinojë zbatimin
Projektligji përcakton se AKSHI do të jetë autoriteti koordinues kombëtar për inteligjencën artificiale. Në zbatimin dhe mbikëqyrjen e ligjit do të përfshihen gjithashtu autoriteti i mbikëqyrjes së tregut, autoriteti njoftues dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ky model synon një koordinim të centralizuar, por me kompetenca të ndara sipas fushave specifike.
Sfida mbetet zbatimi praktik
Në aspektin ekonomik, ligji pritet të ndihmojë në tërheqjen e investimeve në teknologji, fintech, cloud computing dhe zhvillimin e softuerëve, duke harmonizuar rregullat shqiptare me ato të Bashkimit Europian. Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi i tij në praktikë, pasi vendi përballet ende me mungesë ekspertësh në fusha si auditimi algoritmik, etika digjitale dhe mbikëqyrja e teknologjive të avancuara. Suksesi i reformës do të varet nga aftësia e institucioneve për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe teknike për monitorimin e tregut.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)