Secondary Adv

Presidenca mbyll aplikimet per Guvernatorin e ri te BSH-se


Ka skaduar afati i lënë në dispozicion nga presidenca për aplikimet për garën e hapur për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë. Gara e hapur për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë tashmë pritet të futet në një fazë tjetër, atë të përzgjedhjes së kandidaturave.

 

 

Vetëm një ditë pas shkarkimit në Kuvend të Adrian Fullanit nga posti i Guvernatorit, presidenti Bujar Nishani shpalli vakant vendin në krye të institucionit më lartë financiar në vend. Afati i aplikimeve pranë Presidentit të Republikës për këtë pozicion tashmë ka përfunduar dhe për këtë fazë të procesit kanë shfaqur interes 31 kandidatë. Aplikimet janë dorëzuar përmes postës dhe pas shqyrtimit të tyre, pritet që në konsultë me grupet parlamentare, kreu i shtetit të arrijë në kandidaturën konsensuale që  do të kalojë për votim në Kuvend. Kushtetuta parashikon të drejtën e Presidentit për të zgjedhur kandidaturën për Guvernator por përzgjedhja e emrit që mund të propozohet këtë javë do të bëhet pas konsultave gjithëpërfshirëse, me qëllim arritjen e një konsensusi sa më të gjerë.

 

Paralelisht me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Guvernator, ekzekutivi po zhvillon një proces tjetër, atë të përzgjedhjes së emrave që kanë aplikuar për vendet vakante në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Për këtë proces janë rreth 150 persona që kanë shfaqur interes.
Të njëjtën procedurë të hapjes së garës për të aplikuar në adresë interneti, ndoqi edhe Këshilli i Ministrave, ku kryeministri Edi Rama ftonte të gjithë të interesuarit brenda dhe jashtë Shqipërisë për vendin e lënë bosh pas shkarkimit të Fullanit. Përkundër thirrjes së kreut të qeverise Rama, se në krye te Bankës do të ishte më i frytshëm një Guvernator i huaj, njoftimi i presidencës specifikonte aplikimin e hapur për çdo shtetas shqiptar brenda dhe jashtë vendit që përmbush kriteret ligjore.


Për dy javë me radhë të gjithë të interesuarit për postin e guvernatorit kanë pasur mundësi të dërgojnë dokumentet e kërkuara. Përsa i përket zgjedhjes së Guvernatorit, ekzekutivi ka shprehur vullnetin që ai jetë një personalitet i fushës financiare që vjen nga jashtë vendit. Ndërsa kreu i shtetit, në deklarimet publike është shprehur se nuk do të përzgjedhë një emër të huaj për drejtimin e Bankës Qëndrore shqiptare.


Më të lexuarat