Secondary Adv

Nga AKSHI te ADS, Rama: Për 3 vitet e ardhshme kursejmë miliona

Qeveria prezantoi Albanian Digital Solution (ADS), kompaninë e re shtetërore për sistemet digjitale publike.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantuan më 29 maj kompaninë Albanian Digital Solution Sh.A., e cila do të ketë si mision modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe zhvillimin e inovacionit teknologjik në vend. Gjatë prezantimit u vlerësua progresi i deritanishëm i transformimit digjital, ku platforma e-Albania numëron 3.4 milionë përdorues dhe ka ofruar mbi 58 milionë shërbime publike ndër vite. 

 

Qeveria synon të ndërtojë vetë sistemet digjitale

Ministrja Delina Ibrahimaj tha se investimet në infrastrukturën digjitale, databazat shtetërore dhe identitetin elektronik kanë sjellë më shumë transparencë, më pak korrupsion dhe kursim kohe për qytetarët. Sipas saj, Shqipëria renditet aktualisht e teta në Europë për shërbimet digjitale dhe e njëmbëdhjeta në botë. 

 

Kryeministri Rama e cilësoi krijimin e ADS si një hap të ri në zhvillimin e qeverisjes elektronike, duke theksuar se shteti synon të reduktojë varësinë nga kompanitë private për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve teknologjike. Sipas tij, kompania e re do të krijojë vetë programet dhe platformat që i nevojiten administratës publike, duke ndërtuar kapacitete të qëndrueshme brenda sektorit shtetëror. 

 

Paga konkurruese dhe kursime për buxhetin

Rama deklaroi se ADS do të funksionojë sipas standardeve më të larta të tregut teknologjik dhe do të ofrojë paga konkurruese për ekspertët dhe programuesit shqiptarë, si në vend ashtu edhe jashtë tij. Sipas parashikimeve të qeverisë, brenda tre viteve kompania pritet t’i kursejë buxhetit të shtetit një shumë të konsiderueshme, të krahasueshme me kostot aktuale të mirëmbajtjes së sistemeve elektronike.

 

Kreu i qeverisë shtoi se kjo qasje do të nxisë kompanitë private të orientohen më shumë drejt tregut privat, ndërsa shteti do të mbështetet te kapacitetet e veta për zhvillimin e sistemeve publike. Ai e përshkroi ADS si një kompani që synon të bëhet një nga aktorët më të rëndësishëm të tregut digjital shqiptar, por me fokus ekskluziv në shërbimet publike. 

 

Uniforma për shtetin dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te projektet e reja në sektorin e mbrojtjes dhe teknologjisë. Ai përmendi kompaninë “Guna”, e cila sipas tij do të prodhojë uniformat për institucionet shqiptare, ndërsa theksoi se në Shqipëri prodhohen aktualisht edhe uniforma për ushtrinë suedeze. Kryeministri nënvizoi se vendi po hyn në një fazë të re të administratës inteligjente, ku do të përdoren agjentë të Inteligjencës Artificiale në procese që lidhen me financat, shërbimet juridike dhe prokurimet publike.

 

Në përfundim, Rama bëri thirrje që të rinjtë e angazhuar në sektorin e teknologjisë dhe elektronikës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ADS, duke premtuar kushte konkurruese dhe mundësi për të kontribuar në transformimin digjital të vendit. 

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat