INSTAT: Rritet me 12.5 për qind sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në 3-mujorin e parë
Në tremujorin e parë të 2026 u rrit numri i lejeve të ndërtimit dhe të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, duke sinjalizuar më shumë projekte në nivel kombëtar.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 janë miratuar 322 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një rritje prej 24.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u dhanë 258 leje. Sipërfaqja totale e planifikuar për ndërtimet e reja arriti në 377,061 metra katrorë, ose 12.5 për qind më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025.
Të dhënat mbulojnë vetëm lejet e bashkive
INSTAT sqaron se statistikat aktuale bazohen vetëm në informacionin e raportuar nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për miratimin e lejeve të ndërtimit. Megjithatë, sipas kuadrit ligjor në fuqi, në procesin e miratimit të lejeve përfshihen edhe institucione të tjera, përfshirë Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).
Për shkak se raportimi nga të gjitha institucionet ende nuk është standardizuar dhe unifikuar, statistikat zyrtare nuk pasqyrojnë plotësisht të gjitha lejet e miratuara në vend. INSTAT bën të ditur se po punon për të përfshirë të gjitha institucionet përgjegjëse në sistemin e raportimit statistikor.
Vlera e ndërtimeve mund të jetë shumë më e lartë
Në mungesë të të dhënave të plota për lejet e miratuara nga KKTU, një tregues alternativ për vrullin e sektorit të ndërtimit mbeten të ardhurat e pushtetit vendor nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Gjatë periudhës janar-prill 2026, të ardhurat e pushtetit vendor arritën në 26.3 miliardë lekë, me një rritje prej 118 për qind ose rreth 14.2 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke qenë se taksa e ndikimit në infrastrukturë përfaqëson zakonisht 4 deri në 8 për qind të vlerës së projekteve të ndërtimit, vetëm rritja e arkëtimeve prej rreth 150 milionë eurosh do të korrespondonte me projekte ndërtimi me një vlerë totale që mund të arrijë deri në 3.7 miliardë euro.
Banesat dominojnë lejet e reja
Sipas statistikave të INSTAT, ndërtimet për banim vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja. Në tremujorin e parë janë miratuar 237 leje për ndërtesa banimi, me një sipërfaqe totale prej 185,608 metrash katrorë.
Nga ana tjetër, ndërtesat jo-rezidente, ku përfshihen hotelet, objektet tregtare dhe industriale, përfaqësojnë 85 leje ndërtimi me një sipërfaqe totale prej 191,453 metrash katrorë.
Rritje e lehtë e vlerës së projekteve
Vlera e përafërt e projekteve të miratuara, që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike, arriti në 20.4 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo përfaqëson një rritje prej 1.6 për qind.
Shifrat tregojnë se sektori i ndërtimit vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të investimeve në vend, ndërsa përfshirja e të gjitha autoriteteve në raportimin statistikor pritet të japë një panoramë më të plotë të volumit real të lejeve dhe projekteve në zhvillim.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)