Pagat bruto vjetore, Shqipëria në fund të listës me 10 mijë euro në vit, sa një e pesta e Europës
Paga mesatare bruto vjetore në Shqipëri arriti në 10.3 mijë euro gjatë vitit 2025, duke e renditur vendin ndër më të fundit në Europë dhe në fund të rajonit të Ballkanit Perëndimor për nivelin e të ardhurave nga puna.

Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare bruto mujore në Shqipëri ishte 84.1 mijë lekë gjatë vitit 2025, ose rreth 860 euro në muaj. Në terma vjetorë, kjo përkthehet në rreth 10.3 mijë euro bruto, një nivel që mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe shumë larg mesatares europiane.
Rajoni paguan më shumë se Shqipëria
Të dhënat e përpunuara nga institutet statistikore të vendeve të Ballkanit Perëndimor tregojnë se Serbia kryeson rajonin me një pagë mesatare bruto prej 15.5 mijë eurosh në vit. Pas saj renditen Bosnjë-Hercegovina me afro 15 mijë euro, Mali i Zi me 14.5 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 13.2 mijë euro në vit.
Shqipëria mbetet në fund të listës rajonale, ndërsa vetëm Kosova raportonte për vitin 2024 një nivel pak më të ulët se 10 mijë euro në vit.
Pagat në BE janë pesë herë më të larta
Krahasimi me vendet e Bashkimit Europian nxjerr në pah diferenca shumë të mëdha. Sipas të dhënave të OECD të publikuara nga Euronews, paga mesatare bruto vjetore në vendet europiane arrin rreth 50 mijë euro, afërsisht pesë herë më shumë se në Shqipëri.
Gjermania, një nga destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, regjistron një pagë mesatare bruto prej 66.7 mijë eurosh në vit. Në Itali paga mesatare arrin në 36.6 mijë euro, ndërsa në Greqi 26.5 mijë euro në vit.
Edhe vendet me nivelet më të ulëta të pagave në Bashkimin Europian mbeten dukshëm përpara Shqipërisë. Sllovakia regjistron pagën më të ulët mes vendeve të BE-së, me 19.6 mijë euro në vit, pothuajse dyfishin e nivelit shqiptar.
Zvicra kryeson Europën
Në nivel europian, Zvicra vazhdon të mbajë vendin e parë me një pagë mesatare bruto prej 107,487 eurosh në vit. Pas saj renditen Islanda me 85,950 euro dhe Luksemburgu me 77,844 euro.
Në grupin e vendeve me pagat më të larta përfshihen gjithashtu Danimarka, Holanda, Norvegjia, Austria, Belgjika, Irlanda, Finlanda dhe Suedia, ku pagat mesatare vjetore luhaten nga 50 mijë deri në mbi 70 mijë euro.
Pagat mbeten faktor kryesor i emigracionit
Diferenca e madhe e të ardhurave mes Shqipërisë dhe vendeve europiane vazhdon të konsiderohet një nga arsyet kryesore të emigracionit. Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë periudhës 2022-2024 janë dhënë mesatarisht rreth 20 mijë leje pune në vit për shtetas shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani.
Që nga viti 2021, shtetasit shqiptarë kanë përfituar rreth 72 mijë leje të para qëndrimi për arsye punësimi në vendet e BE-së. Kjo shifër përfaqëson rreth 13 për qind të të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor në Shqipëri dhe tregon ndikimin që diferencat e pagave vijojnë të kenë në lëvizjen e fuqisë punëtore.
Pavarësisht rritjes graduale të pagave në vitet e fundit, hendeku me vendet e rajonit dhe sidomos me ekonomitë e zhvilluara europiane mbetet i madh, duke vazhduar të ushtrojë presion mbi tregun vendas të punës.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)