Secondary Adv

Euro dhe dollari në minimum historik, rezervat valutore arrijnë nivelin rekord 7.5 mld euro

Monedhat e huaja vijojnë rënien ndaj lekut, ndërsa rezervat valutore vendosin rekord të ri.

Muaji maj 2026 ka sjellë një tjetër rekord historik në tregun valutor shqiptar, me euron dhe dollarin amerikan që janë zhvlerësuar më tej kundrejt lekut. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, euro ka arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, ndërsa rezervat valutore të vendit janë ngjitur në një rekord prej 7.57 miliardë eurosh.

 

Referuar kursit zyrtar të këmbimit, gjatë muajit maj një euro është këmbyer mesatarisht me 95.48 lekë, nga 98.51 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo do të thotë se monedha europiane ka humbur 3.03 lekë ose rreth 3 për qind të vlerës së saj ndaj lekut brenda një viti.

 

Dollarit i bie vlera edhe më shumë

Zhvlerësimi ka qenë edhe më i fortë për dollarin amerikan. Në maj 2026, një dollar është këmbyer mesatarisht me 81.76 lekë, ndërsa në maj të vitit të kaluar kursi ishte 95.09 lekë. Në këtë mënyrë, monedha amerikane ka humbur 13.33 lekë kundrejt lekut shqiptar brenda një viti.

 

Rënia e dollarit dhe euros po reflekton flukset e larta valutore që po hyjnë në ekonominë shqiptare, duke rritur ofertën e valutës në treg dhe duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit.

 

Rezervat valutore në nivel rekord

Për të zbutur presionin mbi kursin e këmbimit dhe për të shmangur një rënie edhe më të fortë të euros, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun valutor përmes blerjes së valutës. Kjo ka sjellë një rritje të konsiderueshme të rezervave valutore të vendit.

 

Në fund të muajit prill 2026, rezervat valutore arritën në 7 miliardë e 571 milionë euro, nga 6 miliardë e 727 milionë euro që ishin në prill 2025. Rritja prej 844 milionë eurosh konsiderohet një tregues i shtimit të blerjeve të valutës nga banka qendrore me qëllim stabilizimin e tregut.

 

Turizmi dhe investimet po ushtrojnë presion mbi kursin

Sipas institucioneve financiare, zhvlerësimi i euros dhe dollarit lidhet kryesisht me hyrjet e larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja. Flukset në rritje të valutës kanë forcuar lekun dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, kanë ndihmuar gjithashtu në mbajtjen nën kontroll të inflacionit.

 

Ekspertët presin që presioni mbi kursin e këmbimit të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm. Me afrimin e sezonit turistik veror dhe shtimin e hyrjeve valutore, euro mund të mbetet në nivele historikisht të ulëta, ndërsa Banka e Shqipërisë mund të vijojë ndërhyrjet për të kufizuar luhatjet e mëtejshme në treg.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat