Secondary Adv

77.7 milionë lekë për rrugën Selitë e Vjetër, Bashkia Tiranë hap tenderin

Projekti parashikon rikonstruksion të plotë të rrugës dhe ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese.

Bashkia Tiranë ka shpallur procedurën e prokurimit për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugës “Selitë e Vjetër”, një investim që synon përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës në këtë zonë të kryeqytetit. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i projektit është 77 milionë e 714 mijë lekë.

 

Referuar dokumentacionit teknik, rruga “Selitë e Vjetër” aktualisht vuan nga mungesa e plotë e infrastrukturës rrugore. Segmenti ka një gjatësi prej rreth 1.1 kilometrash dhe një gjerësi që varion nga 3 deri në 5 metra, ndërsa shtrihet në një terren kodrinor.

 

Ndërhyrje e plotë në infrastrukturë

Projekti nuk parashikon vetëm asfaltimin e rrugës, por një transformim tërësor të zonës përmes ndërtimit të infrastrukturës moderne urbane. Në kuadër të investimit do të realizohet sistemimi i trupit të rrugës, ndërtimi i trotuareve, instalimi i ndriçimit publik, si dhe krijimi i rrjeteve të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.

 

Gjatë hartimit të projekt-zbatimit, autoritetet kanë parashikuar integrimin e të gjithë elementëve të nevojshëm për funksionimin e plotë të infrastrukturës. Objektivi kryesor është përmirësimi i kushteve të jetesës për banorët dhe sistemimi i bllokut të banimit në këtë pjesë të Tiranës.

 

Zgjerim i rrugës dhe rrjet i ri kanalizimesh

Një nga ndërhyrjet kryesore të projektit do të jetë zgjerimi i trasesë së rrugës në një gjerësi mesatare prej rreth 5 metrash. Investimi do të përfshijë punime në të gjitha shtresat rrugore, duke filluar nga nënbaza deri te shtresat asfaltike, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së aksit.

 

Po ashtu do të ndërtohet një rrjet i ri kanalizimesh për ujërat e bardha dhe të zeza, si dhe do të vendosen puseta dhe tuba shkarkimi për menaxhimin e ujërave sipërfaqësore. Këto ndërhyrje synojnë të zgjidhin problematikat ekzistuese dhe të krijojnë standarde bashkëkohore infrastrukturore për zonën.

 

Sipas dokumentit të Agjencisë së Prokurimit Publik, realizimi i këtij projekti pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës për komunitetin, përmes ndërtimit të një infrastrukture moderne dhe funksionale që i përgjigjet nevojave të banorëve të zonës.

 

Burimi: Scan TV


Më të lexuarat