Secondary Adv

Rruga Elbasan–Qafë Thanë, ARRSH: Brenda qershorit hapen 7.5 km e parë me dy kalime

ARRSH njofton avancimin e punimeve në Korridorin VIII dhe hapjen e segmentit të parë në të dy drejtimet.

Brenda muajit qershor pritet të hapet plotësisht për qarkullim segmenti i parë prej 7.5 kilometrash i rrugës Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se automjetet do të mund të lëvizin në të dy drejtimet, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm kombëtar.

 

Aktualisht trafiku zhvillohet vetëm në njërën anë të rrugës, ndërsa përfundimi i procedurave të shpronësimit të miratuara së fundmi nga qeveria pritet të krijojë mundësinë për hapjen e plotë të segmentit të parë.

 

Punimet vijojnë në të gjitha lotet

Sipas ARRSH-së, rruga Elbasan–Qafë Thanë përbëhet nga tetë kontrata të ndara. Një prej tyre është përfunduar plotësisht, ndërsa në segmentet e tjera po vijojnë punimet për përmbylljen e fazave të planifikuara.

 

Autoriteti parashikon që pjesa më e madhe e punimeve në lotet aktuale të përfundojë deri në fund të vitit 2026. Ndërkohë, përmbyllja e plotë e të tetë fazave të projektit synohet të realizohet brenda dhjetorit të vitit 2027.

 

Nis edhe faza e nëntë me tunelin e Hotolishtit

Paralelisht me punimet ekzistuese, gjatë këtij viti pritet të nisë zbatimi i një kontrate të re, e njohur si faza e nëntë e projektit. Në këtë fazë përfshihet ndërtimi i tunelit të Hotolishtit, një vepër e konsideruar me rëndësi të veçantë për aksin.

 

Tuneli do të zgjidhë problematikën e krijuar në fshatin Hotolisht, pasi projekti fillestar parashikonte kalimin e rrugës në sipërfaqe, duke e ndarë fshatin në dy pjesë. Kjo solli kundërshtimin e banorëve dhe komunitetit lokal.

 

Sipas ARRSH-së, ndërtimi i tunelit shmang ndikimet negative që do të kishte rruga mbi zonën e banuar dhe njëkohësisht adreson kërkesat e komunitetit dhe të bizneseve që operojnë në këtë territor.

 

Korridori VIII, projekt strategjik për rajonin

Korridori VIII konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Ky investim synon të lidhë portet shqiptare me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me rrjetin europian të transportit, duke rritur ndërlidhjen rajonale, lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve, si dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin ekonomik.

 

Burimi: Scan TV


Më të lexuarat