Secondary Adv

Deri në 35 ditë për kompensimin e naftës, operatorët përballen me procedura të gjata verifikimi

Operatorët e transportit publik që kanë aplikuar për kompensimin e naftës prej 50 lekësh për litër do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi që mund të zgjasë deri në 35 ditë, duke ngritur shqetësime për likuiditetin e kompanive.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, tha për Monitor se subjektet kanë nisur dorëzimin e kërkesave për përfitimin e kompensimit, të shoqëruara me formularët e vetëdeklarimit të konsumit të karburantit për periudhën aktuale, të krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bashkë me vetëdeklarimin, operatorët duhet të paraqesin edhe dokumentacionin mbështetës, përfshirë faturat e blerjes dhe dokumentet përkatëse të daljes.

 

Procesi i verifikimit deri në 35 ditë

Sipas Fonit, në Tiranë procedura kalon në disa faza. Fillimisht dokumentacioni verifikohet nga inspektori përgjegjës, proces që zgjat rreth pesë ditë. Më pas dosja kalon në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka deri në 15 ditë kohë për shqyrtimin e saj. Në fazën përfundimtare, Drejtoria e Transportit pranë Bashkisë kontrollon përputhshmërinë e targave të mjeteve dhe të dhënave të konsumit të deklaruar, proces që kërkon rreth 10 ditë të tjera.

 

Në total, operatorët e Tiranës mund të presin deri në 35 ditë për përfundimin e procedurës, ndërsa për subjektet në rrethe afati llogaritet rreth 25 ditë.

 

Shqetësime për likuiditetin e operatorëve

Shoqatat e transportit publik argumentojnë se afatet e gjata të verifikimit ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen financiare të operatorëve, pasi karburanti përbën një nga kostot kryesore të aktivitetit. Për këtë arsye, ata kërkojnë që procedurat të përshpejtohen, në mënyrë që fondet e kompensimit të disbursohen më shpejt dhe të lehtësojnë barrën financiare të bizneseve.

 

Para miratimit të skemës së kompensimit, operatorët kishin paralajmëruar vazhdimisht se rritja e çmimit të naftës po rëndonte ndjeshëm kostot operative. Ata kërkuan kompensim për një periudhë gjashtëmujore dhe ulje të barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në lidhje me akcizën dhe taksën e qarkullimit.

 

Reduktimi i shërbimit detyroi ndërhyrjen e qeverisë

Për shkak të mungesës së reagimit fillestar nga institucionet dhe pamundësisë për të rritur çmimin e biletave pa vendim qeveritar ose të këshillave bashkiakë, operatorët reduktuan deri në 60% shërbimin e transportit publik për gati dy ditë në të gjithë vendin.

 

Pas kësaj situate, qeveria miratoi kompensimin e naftës në masën 50 lekë për litër për një periudhë tremujore. Skema mbulon konsumin e muajve mars, prill dhe maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2025 për secilin operator.

 

250 milionë lekë fond për kompensimin

Efekti financiar i skemës është llogaritur në 250 milionë lekë, ose rreth 2.6 milionë euro. Nga kjo shumë, 120 milionë lekë do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa 130 milionë lekë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

 

Aplikimet për përfitimin e kompensimit kanë nisur më 30 maj dhe do të pranohen deri më 1 gusht 2026. Ndërkohë, operatorët kanë kërkuar që skema të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë, duke përfshirë periudhën korrik–shtator, me argumentin se çmimet e karburanteve vazhdojnë të mbeten të larta dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të sektorit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat