Ndryshojnë lejet e ndërtimit: Karabinaja me certifikatë, shtyhen afatet për lejet e vjetra
Qeveria ka miratuar ndryshime në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, që prekin lejet e ndërtimit, projektet e papërfunduara dhe kompetencat e KKTU-së, me synimin për të thjeshtuar procedurat.

Qeveria ka miratuar ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, duke prekur procedurat për lejet e ndërtimit, transferimin e tyre, projektet e papërfunduara dhe kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU). Ndryshimet synojnë lehtësimin e procedurave, por njëkohësisht rrisin rolin e institucioneve qendrore në vendimmarrje.
Sipas vendimit nr. 388, datë 28 maj 2026, të botuar në Fletoren Zyrtare, hiqet afati prej 40 ditësh pune brenda të cilit KKTU duhej të merrte vendim për lejet e zhvillimit. Ky ndryshim i jep më shumë fleksibilitet administrativ institucionit, por nga ana tjetër eliminon një afat të qartë referimi për investitorët dhe zhvilluesit.
KKTU mund të kërkojë funksione publike në projektet private
Ndryshimet e reja zgjerojnë kompetencat e KKTU-së, e cila tashmë mund të kërkojë përfshirjen e funksioneve publike brenda projekteve private, si kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, shërbime postare apo struktura akomoduese. Më parë institucioni kufizohej vetëm në paraqitjen e vërejtjeve dhe rekomandimeve për projektet.
Kufizohen transferimet e lejeve të ndërtimit
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me transferimin e lejeve të ndërtimit. Në të kaluarën, ndryshimi i subjektit zhvillues mund të bëhej në çdo fazë të projektit. Tashmë kjo do të lejohet vetëm pasi të jenë përfunduar themelet dhe kuota zero e objektit. Për më tepër, si ndryshim i subjektit do të konsiderohet edhe shtimi apo zëvendësimi i përfituesve të lejes. Kjo masë synon të kufizojë tregtimin spekulativ të lejeve në fazat e hershme të zhvillimit.
Lehtësohen kushtet për marrjen e lejeve
Rregullorja e re heq kushtin që lejet e ndërtimit të jepeshin vetëm kur zona dispononte infrastrukturë kryesore dhe dytësore të përfunduar. Gjithashtu është hequr edhe detyrimi që zhvilluesit të siguronin paraprakisht të gjitha autorizimet sipas legjislacionit sektorial. Në praktikë, kjo mund të përshpejtojë procesin e miratimit të projekteve të mëdha.
Më shumë fleksibilitet për projektet ekzistuese
Ndryshimet krijojnë mundësi të reja edhe për projektet që prekin hapësirat publike. Në raste të veçanta, KKTU mund të lejojë rishikimin e lejeve ekzistuese edhe për prona të destinuara për sheshe, parqe apo hapësira publike, nëse kërkesa paraqitet nga i njëjti subjekt zhvillues. Gjithashtu, lejohet dhënia e disa lejeve ndërtimi brenda të njëjtit kufi zhvillimi, duke favorizuar projektet që realizohen me faza.
Ndarja e apartamenteve bëhet pjesë e projektit
Projektet arkitektonike do të duhet të përfshijnë jo vetëm elementët teknikë të ndërtesës, por edhe ndarjen e njësive të brendshme, si apartamente, zyra apo ambiente shërbimi. Këto të dhëna do të përdoren më pas për regjistrimin në Kadastër dhe në Dhomën Kombëtare të Noterisë. Çdo ndryshim në organizimin e njësive do të duhet të deklarohet zyrtarisht.
Zgjidhje për projektet e bllokuara prej vitesh
Për herë të parë parashikohet një procedurë e posaçme për objektet e papërfunduara prej më shumë se pesë vitesh. Zhvilluesit do të kenë 24 muaj kohë për të kërkuar zgjatjen e lejeve, duke paraqitur dokumentacionin teknik, deklarata për sigurinë e objektit dhe arsyet e vonesave. Nëse nuk aplikojnë brenda afateve të përcaktuara, mund të përballen me procedura konfiskimi sipas legjislacionit në fuqi.
Krijohet certifikata e karabinasë
Një nga risitë më të rëndësishme është krijimi i “certifikatës së karabinasë”. Deri më tani certifikata e përdorimit jepej vetëm pas përfundimit të plotë të objektit. Me rregullat e reja, autoritetet do të mund të lëshojnë një certifikatë të veçantë për fazën e karabinasë, një zhvillim që pritet të ndikojë në financimin e projekteve dhe tregun e shitjes së apartamenteve gjatë ndërtimit.
Mundësi e re për lejet e skaduara
Dispozitat kalimtare u japin një mundësi të re zhvilluesve që kanë leje të skaduara. Edhe në rastet kur afatet e mëparshme për zgjatje kanë përfunduar, subjektet do të mund të aplikojnë sërish në sistemin elektronik të lejeve deri në janar 2027, për sa kohë projekti mbetet brenda kufijve të parashikuar nga ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)