Operatorët e transportit: Nuk jemi gati për POS-et, testin po e bëjmë me taksitë
Zbatimi i pagesave elektronike në transportin publik po has vështirësi për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe paqartësive mbi kostot.

Detyrimi për përdorimin e pagesave elektronike në transportin publik po përballet me vështirësi praktike, pasi operatorët thonë se mungojnë infrastruktura teknologjike, qartësia mbi kostot dhe informacioni i nevojshëm për zbatimin e plotë të sistemit.
Përfaqësuesit e shoqatave të transportit publik deklarojnë se mbështesin modernizimin e shërbimeve dhe zgjerimin e mundësive të pagesës për qytetarët, por theksojnë se kushtet aktuale nuk e lejojnë vendosjen e menjëhershme të pajisjeve POS/POI në autobusë dhe mjetet e transportit publik.
Operatorët kërkojnë më shumë informacion
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, shprehet se operatorët ende nuk janë pajisur me sistemin dhe nuk kanë marrë informacion të plotë për mënyrën e funksionimit të tij. Sipas tij, transporti urban vazhdon të operojë pothuajse tërësisht me pagesa cash, të arkëtuara nga fatorinot në autobusë.
“Jemi të paqartë jo vetëm ne si operatorë, por edhe qytetarët që do të duhet të përdorin kartat bankare për të paguar biletën. Ende nuk kemi marrë informacion të plotë për mënyrën sesi do të funksionojë sistemi në praktikë”, deklaroi Foni.
Ai bëri të ditur se operatorët kanë nisur komunikimet me bankat e nivelit të dytë për të marrë oferta konkrete lidhur me pajisjet, kostot e mirëmbajtjes dhe tarifat që do të aplikohen për çdo transaksion.
Kosto shtesë për operatorët
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me barrën financiare që mund të krijojë përdorimi i POS-eve në një sektor ku fitimet janë të kufizuara. Sipas operatorëve, zëvendësimi i një pajisjeje të dëmtuar mund të kushtojë deri në 50 mijë lekë, ndërsa mirëmbajtja mujore arrin rreth 1 mijë lekë për çdo pajisje.
Përveç këtyre kostove, bankat aplikojnë tarifa fikse për çdo transaksion dhe komisione shtesë në përqindje mbi vlerën e pagesës. Operatorët kërkojnë sqarim nëse këto tarifa do të mbulohen nga qytetarët apo do të përballohen nga vetë kompanitë e transportit.
“Duhet të sqarohet nëse këto tarifa do t’i paguajë qytetari që kryen pagesën apo do të zbriten nga të ardhurat e operatorit. Përndryshe, në rastin e një bilete me vlerë 40 lekë, mund të shtohen edhe 32 lekë të tjera kosto”, argumenton Foni.
Transporti urban pa infrastrukturën e nevojshme
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Dashnor Mema, përfaqësues i operatorëve të transportit ndërqytetës, i cili thotë se procesi po testohet fillimisht në sektorin e taksive për të vlerësuar funksionimin e sistemit.
Sipas tij, transporti urban mbetet segmenti më kompleks, pasi mungojnë platformat teknologjike dhe sistemet e integruara të biletimit elektronik.
“Vendosja e POS-eve ka nisur përmes procesit të taksive për të parë si funksionon sistemi. Më pas do të kalohet te transporti ndërqytetës. Për transportin urban, për momentin është e pamundur përderisa nuk ekzistojnë ende platformat dhe sistemet përkatëse”, tha Mema.
Ai shtoi se diskutimet mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe bankave vijojnë për të përcaktuar nivelin përfundimtar të komisioneve dhe mënyrën e zbatimit të sistemit.
Kërkohet sistem i plotë biletimi elektronik
Sipas operatorëve, vendosja e një pajisjeje POS nuk mjafton për modernizimin e transportit publik. Ata argumentojnë se nevojitet një platformë e plotë biletimi elektronik që të mbështesë njëkohësisht pagesat me kartë bankare, transfertat elektronike dhe pagesat cash.
Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar më herët se pa ndërtimin e kësaj infrastrukture, përdorimi i POS-eve rrezikon të mbetet një zgjidhje e pjesshme që nuk adreson sfidat reale të sektorit.
Lehtësi për turistët, jo zgjidhje për problemet e sektorit
Operatorët pranojnë se pagesat elektronike mund të sjellin më shumë komoditet për qytetarët dhe veçanërisht për turistët e huaj që nuk mbajnë para cash, por nuk besojnë se kjo masë do të sjellë një transformim të menjëhershëm të transportit publik.
“Është një alternativë shtesë për qytetarët dhe veçanërisht për turistët. Nuk është një masë që zgjidh problemet e transportit apo që ndryshon tërësisht infrastrukturën ekzistuese”, nënvizoi Mema.
Në këto kushte, operatorët argumentojnë se zbatimi i detyrimit për pagesat elektronike kërkon fillimisht zgjidhjen e çështjeve teknike, financiare dhe organizative. Deri në krijimin e një sistemi të plotë biletimi elektronik dhe qartësimin e kostove për operatorët dhe qytetarët, vendosja e POS-eve në transportin publik mbetet një proces ende larg zbatimit të plotë në terren.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)