Secondary Adv

Tender 2.4 mln euro për zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shirokë dhe Zogaj

Zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve në Shirokë dhe Zogaj do të kushtojë rreth 2.4 milionë euro, për të përmirësuar shërbimet dhe për të përballuar fluksin turistik.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Qarku Shkodër ka hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik procedurën për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës së kanalizimeve në këto dy zona turistike, të cilat vitet e fundit kanë njohur një zhvillim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik dhe turistik.

 

Rrjet modern për ujërat e ndotura

Kontrata parashikon ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e ndotura urbane me qëllim mbulimin e plotë të Shirokës dhe Zogajt me një sistem modern të grumbullimit dhe largimit të tyre. Projekti përfshin gjithashtu zëvendësimin e segmenteve të amortizuara dhe rehabilitimin e puseve ekzistuese të kontrollit.

 

Sipas dokumentacionit të tenderit, objektivi kryesor është lidhja e plotë e popullsisë rezidente me rrjetin e kanalizimeve, si dhe përmirësimi i standardeve mjedisore për trajtimin dhe shkarkimin e ujërave të ndotura, në përputhje me legjislacionin shqiptar.

 

Projektim i detajuar dhe studime teknike

Përveç punimeve ndërtimore, projekti përfshin studim-projektimin e detajuar të sistemit, llogaritjet hidraulike dhe modelimin e funksionimit të rrjetit gjatë periudhave me ngarkesë minimale dhe maksimale. Dokumentacioni përcakton materialet që do të përdoren, fazat e ndërhyrjes dhe parametrat teknikë për realizimin e investimit.

 

Autoritetet synojnë që infrastruktura e re të garantojë funksionim të qëndrueshëm dhe të përballojë kërkesat në rritje të zonës, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

 

Përfshihet edhe furnizimi me ujë

Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me përmirësimin e furnizimit me ujë për Shirokën. Plani parashikon hapjen e deri në tre puse në pjesën juglindore të zonës, me thellësi të rekomanduar rreth 100 metra, ndërsa parametrat përfundimtarë do të përcaktohen pas studimeve hidrogjeologjike.

 

Investimi do të përfshijë gjithashtu ndërtimin e stacioneve të pompimit, linjave të furnizimit me energji elektrike, transformatorëve dhe impianteve të klorinimit për garantimin e cilësisë së ujit.

 

Infrastrukturë për zhvillimin afatgjatë turistik

Nevoja për zgjerimin e kapaciteteve mbështetet në projeksionet afatgjata të zhvillimit turistik deri në vitin 2074. Autoritetet kanë parashikuar rritje graduale të numrit të vizitorëve, duke llogaritur turistët që akomodohen në hotele, apartamente dhe ata që vizitojnë zonën gjatë ditës.

 

Rritja e pritshme e flukseve turistike do të sjellë edhe volume më të mëdha të ujërave të ndotura, duke e bërë modernizimin e kanalizimeve një domosdoshmëri për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të një prej zonave me potencialin më të lartë turistik në brigjet e Liqenit të Shkodrës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat