Secondary Adv

Emigracioni thellohet pas pandemisë, Shqipëria ka humbur 164 mijë banorë në 5 vite

Shqipëria po përballet me një valë të fortë emigracioni pas pandemisë, me mbi 164 mijë shqiptarë më shumë të larguar sesa të kthyer gjatë periudhës 2021-2026.

Një bilanc i rëndë demografik rezulton nga të dhënat zyrtare të INSTAT për migracionin neto në periudhën 2011-2026. Nga 1 janari 2021 deri në vitin 2026, më shumë se 164 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi më shumë sesa janë kthyer, duke thelluar krizën demografike në një popullsi tashmë më të vogël dhe më të plakur.

 

Largimi i fortë pas pandemisë tregon se politikat ekonomike dhe ato për kapitalin njerëzor nuk kanë arritur të nxisin kthimet, ndërsa emigracioni vijon të mbetet një nga sfidat kryesore të vendit edhe 35 vite pas rënies së komunizmit.

 

Pas pandemisë, largimet u rritën me ritme të forta

Sipas INSTAT, me lehtësimin e kufizimeve globale të lëvizjes në vitin 2021, migracioni neto i Shqipërisë u përkeqësua ndjeshëm, duke arritur në minus 32,853 persona. Tendenca mbeti pothuajse e pandryshuar edhe në vitin 2022, kur bilanci negativ ishte minus 32,497 persona.

 

Fluksi kulmoi në vitin 2024, kur u regjistrua humbja më e madhe historike e dekadës, me një bilanc negativ prej minus 43,761 personash. Kjo lidhet edhe me rishikimet nga Censi i popullsisë, ku treguesi i dy viteve u përmblodh në një vit.

 

Në dy vitet pasuese, 2025-2026, janë larguar mbi 57.3 mijë persona, ose më shumë se 28 mijë persona në vit. Në raport me popullsinë banuese, këto shifra mbeten shumë të larta dhe tregojnë se hemorragjia demografike nuk po ndalet.

 

Ndryshe nga vitet para pandemisë, largimi është bërë konstant

Të dhënat tregojnë se emigracioni neto kishte shfaqur luhatje më të moderuara në vitet para pandemisë. Pas një piku negativ në vitin 2014, me minus 21,785 persona, largimet nisën të ngadalësoheshin, duke arritur nivelin më të ulët të humbjeve në vitin 2016, me minus 9,473 persona.

 

Në vitet 2017 dhe 2018, humbjet u stabilizuan rreth kuotës së minus 15 mijë personave, ndërsa viti 2019 paralajmëroi një valë të re ikjesh, me mbi 23 mijë të larguar. Kjo tendencë u ndërpre përkohësisht vetëm nga izolimi i vitit pandemik 2020, kur bilanci u mbyll në minus 16,684 persona.

 

Pas vitit të izolimit, vendi u përball me një eksod të ri, ku dëshira e shtresave të ndryshme të popullsisë për të ndërtuar jetën jashtë kufijve u reflektua në shifrat rekord të pesë viteve të fundit.

 

Shqipëria mbetet më e prekura në rajon

Raportet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, konfirmojnë se Ballkani Perëndimor po përballet me emigracion të lartë, por Shqipëria mbetet vendi më i prekur në rajon për nga intensiteti i largimeve dhe pa shenja të qarta përmirësimi.

 

Menjëherë pas saj renditet Kosova, e cila regjistroi një valë të lartë ikjesh pas liberalizimit të vizave, por gjatë vitit të fundit ka shfaqur një tendencë drejt stabilizimit dhe rënies së lehtë të bilancit negativ.

 

Pagat, kostoja e jetesës dhe shërbimet publike nxisin ikjet

Diferenca e madhe mes pagave në Shqipëri dhe vendeve të Bashkimit Europian mbetet një nga arsyet kryesore të largimeve. Shqipëria kishte një pagë mesatare mujore bruto prej 10.3 mijë euro në vit, kundrejt 66.7 mijë euro në Gjermani, ku po largohen shumë profesionistë, dhe 36.6 mijë euro në Itali.

Edhe pse pagat nominale në vend janë rritur, rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni i viteve të fundit kanë dobësuar fuqinë blerëse, duke shtuar ndjesinë e pasigurisë ekonomike te familjet.

 

Një pjesë e madhe e të rinjve të kualifikuar dhe profesionistëve, përfshirë mjekë, infermierë, inxhinierë dhe specialistë të IT-së, largohen pasi tregu vendas ofron mundësi të kufizuara zhvillimi profesional dhe paga që nuk përputhen me investimin e tyre në arsim.

 

Cilësia e perceptuar e shërbimeve publike po luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Familjet e reja shpesh zgjedhin emigrimin për t’u siguruar fëmijëve një sistem arsimor më cilësor dhe akses në një sistem shëndetësor më të sigurt e më të besueshëm.

Ndjenja e përgjithshme e pesimizmit për përmirësimin e demokracisë dhe kushteve sociale në vend e ka kthyer emigrimin në një projekt afatgjatë për shumë qytetarë që kërkojnë një të ardhme më të qëndrueshme jashtë Shqipërisë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat