Secondary Adv

Shpallet fituesi për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve dhe ndërtimin e kullës ngjitur

Studio prestigjioze ndërkombëtare “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, së bashku me partnerët e saj, është shpallur fituese e garës për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve dhe zhvillimin e kullës multifunksionale ngjitur.

Fitues i konkursit për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve u shpall bashkimi i operatorëve “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, Julian Beqiri, “Marsela Demaj”, “Michel Desvigne (MDP)”, “Gentian Shkurti”, “SUEB INDUSTRIES” sh.p.k., “The Space Factory Ltd” dhe “KLAR” sh.p.k. Projekti u prezantua gjatë një aktiviteti të zhvilluar këtë të martë, ku përfaqësuesit e ekipit fitues shpjeguan vizionin e tyre për transformimin e kompleksit.

 

Ndërhyrje minimale dhe më shumë hapësira publike

Sipas arkitektëve, projekti synon të ruajë identitetin e ndërtesës ekzistuese duke ndërhyrë sa më pak në strukturën e saj. Ata theksuan se Pallati i Kongreseve ka qenë një ndërtesë novatore për kohën kur u ndërtua dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë arkitekturore të vendit.

 

Koncepti parashikon katër deri në pesë ndërhyrje kryesore, ku elementi qendror është krijimi i një zone të gjelbër rreth godinës. Kjo hapësirë është konceptuar si një “dhomë pritjeje” urbane për të gjithë kompleksin, duke afruar më shumë jetën publike me ndërtesën.

 

Shesh i ri dhe pyll urban

Një nga elementet kryesore të projektit është krijimi i një sheshi të ri publik, riorganizimi i lëvizjes së këmbësorëve dhe ndërtimi i një atriumi që zbret gradualisht drejt niveleve më të ulëta. Projektuesit shpjeguan se kjo zgjidhje do të krijojë efektin vizual dhe funksional të një pylli urban, duke ofruar një hapësirë të hapur dhe të përdorshme për qytetarët.

 

“Sheshi i ri i gjelbër që do të kalojë shkallë pas shkalle poshtë do të duket si një pyll dhe si një hapësirë që përdoret nga të gjithë”, u shprehën përfaqësuesit e ekipit fitues gjatë prezantimit.

 

Salla të reja konferencash dhe kullë multifunksionale

Brenda Pallatit të Kongreseve parashikohen përmirësime të ndjeshme të akustikës, si dhe zëvendësimi i çatisë ekzistuese me një strukturë të re çeliku. Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e gjashtë sallave të reja konferencash me një kapacitet total prej rreth 1,600 personash.

 

Në kompleks është planifikuar edhe një kullë multifunksionale që do të kombinojë hapësira zyrash dhe hotelerie. Juria rekomandoi që ekipi fitues të rishikojë elemente të caktuara të projektit, veçanërisht lartësinë e kullës dhe trajtimin e pjesës së sipërme të saj, me synimin për të përmirësuar më tej cilësinë e hapësirave publike.

 

Renditja e projekteve

Në vendin e dytë u rendit grupi i përbërë nga “MVRDV B.V”, “AEI Progetti Srl”, “IRI” sh.p.k., “Jason Bruges Studio Ltd”, “Charcoalblue International Ltd”, “Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd” dhe “Bami Holding” sh.p.k. Ndërsa vendi i tretë iu dha ekipit të përbërë nga “Studio GANG”, “Gener 2” sh.p.k., “AD-STAR” sh.p.k., “Digi Print”, Besart Papa dhe Rudina Papavasili.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat