Përplasja mes ortakëve të aeroportit të Vlorës, qeveria vendos gjobat e para për vonesat
Ministria e Infrastrukturës paralajmëron penalitete të tjera dhe madje zgjidhje kontrate nëse mosmarrëveshja nuk zgjidhet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur penalitetet e para ndaj kompanive koncesionare që po ndërtojnë Aeroportin e Vlorës, pas vonesave të krijuara në realizimin e projektit. Lajmi u bë i ditur nga ministri Enea Karakaçi, i cili deklaroi se mosmarrëveshjet mes ortakëve nuk mund të justifikojnë pengimin e punimeve në një projekt që konsiderohet strategjik për vendin.
Sipas ministrit, kompanive u është lënë një afat prej 30 ditësh për të zgjidhur konfliktin mes tyre ose për të gjetur një marrëveshje përmes ndërmjetësimit. Në të kundërt, përveç gjobave të vendosura tashmë, do të aplikohen penalitete të tjera të parashikuara në kontratë, deri në mundësinë e zgjidhjes së saj.
Ministria kërkon zgjidhjen e konfliktit
Karakaçi tha se ministria ka mbajtur një qasje të kujdesshme në komunikimin me operatorët, me qëllim garantimin e vijimit të punimeve dhe respektimin e kontratës.
“Këta ortakë kanë ofertuar për të ndërtuar aeroportin e Vlorës. Ka një mosmarrëveshje që është bërë publike dhe mediatike dhe ka dhënë një lloj impakti sa i përket imazhit. Ministria ka qenë shumë e kujdesshme me komunikimet me operatorët. Ne duam të zbatojmë kontratën. U kam dërguar shkresë dhe u kam kërkuar që mosmarrëveshjet nuk duhet të jenë shkak për bllokimin e aeroportit. U kemi lënë afat 30-ditor që të zgjidhin mosmarrëveshjen civile që kanë”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se ministria është e gatshme të ndihmojë palët për të gjetur gjuhën e përbashkët nëse kjo konsiderohet e nevojshme për ecurinë e projektit.
Janë vendosur penalitetet e para
Sipas Karakaçit, punimet në aeroport kanë avancuar ndjeshëm dhe projekti ndodhet në fazat përmbyllëse. Megjithatë, çdo vonesë në afatet e dakordësuara sjell pasoja financiare për kompanitë kontraktuese.
“Çdo ditë apo çdo muaj vonesë ka penalitete. Kemi lëshuar faturat e para të penalitetit për vonesat përkatëse”, u shpreh ministri.
Autoritetet nuk kanë bërë publike vlerën e gjobave të vendosura, por kanë theksuar se mekanizmat kontraktorë do të zbatohen në mënyrë rigoroze për të garantuar përfundimin e investimit.
Qeveria garanton përfundimin e aeroportit
Pavarësisht konfliktit mes ortakëve, ministri i Infrastrukturës siguroi se Aeroporti i Vlorës do të përfundojë dhe do të vihet në funksion sipas afateve të përditësuara që janë kërkuar nga vetë kompanitë.
“Aeroporti ka ecur me punime të avancuara, jemi në përfundim. Përfundimi i tij do të bëhet në mënyrën sa më të shpejtë të mundshme, sipas afateve që vetë kompanitë kanë kërkuar për t’i vendosur. Aeroporti do të ndërtohet dhe do të jetë operacional”, deklaroi Karakaçi.
Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend dhe pritet të luajë një rol kyç në zhvillimin e turizmit dhe transportit ajror në jug të Shqipërisë.