Secondary Adv

Vetëm 2 ditë afat për aplikimin e Paqes Fiskale, Tatimet: Nuk do të ketë shtyrje

Bizneset kanë kohë vetëm deri më 5 qershor për të aplikuar në skemën e Marrëveshjes së Paqes Fiskale, ndërsa Administrata Tatimore ka konfirmuar se nuk parashikohet asnjë shtyrje e afatit të aplikimeve.

Aplikimet për përfshirje në skemë nisën më 15 maj 2026 dhe mbyllen më 5 qershor. Kërkesat duhet të dorëzohen në sistemin elektronik e-Filing. Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një shtyrje e afatit do të ndikonte në periudhën minimale njëvjeçare të zbatimit të marrëveshjes, ndaj nuk është marrë në konsideratë një ndryshim i kalendarit.

 

Qëndrimi është bërë i ditur gjatë takimeve informuese me bizneset, ndërsa kontabilistët dhe audituesit ligjorë kanë kërkuar më herët shtyrje të afateve, duke argumentuar se udhëzimet zbatuese janë miratuar me vonesë dhe koha për përgatitjen e dokumentacionit ka qenë e kufizuar.

 

Interes i kufizuar nga bizneset

Administrata Tatimore ka bërë të ditur se deri më 10 qershor do të përfundojë procesi i verifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga aplikantët. Sipas informacioneve paraprake, interesi i bizneseve për t’u bërë pjesë e marrëveshjes së Paqes Fiskale rezulton më i ulët nga sa ishte parashikuar.

 

Përveç nënshkrimit të marrëveshjes, bizneset kanë mundësi të kryejnë edhe rideklarimin e pasqyrave financiare për vitet 2023, 2024 dhe 2025 kundrejt pagesës së një tatimi prej 5 për qind. Rideklarimi mund të kryhet vetëm një herë dhe afati përfundimtar është 30 qershor 2026.

 

Kush mund të përfitojë nga marrëveshja

Skema është e hapur për tatimpaguesit që deklarojnë Tatimin mbi Fitimin ose Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin e Biznesit me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit. Përfituesit duhet të kenë dorëzuar deklaratat vjetore, të mos kenë detyrime të papaguara apo procese apelimi administrativ dhe të mos jenë subjekt hetimi ose procedimi penal për çështje tatimore.

 

Nga skema përjashtohen subjektet që realizojnë projekte koncesionare, si dhe ata që janë dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim parash apo fshehje të ardhurash.

 

Si llogaritet fitimi sipas Paqes Fiskale

Sipas procedurës, administrata tatimore harton draftmarrëveshjen duke llogaritur fitimin minimal të tatueshëm për vitin 2026 në bazë të fitimit të deklaruar për vitin 2025, të shumëzuar me koeficientin 1.18.

 

Për shembull, nëse një biznes ka deklaruar fitim të tatueshëm prej 12 milionë lekësh në vitin 2025, niveli minimal i fitimit sipas marrëveshjes për vitin 2026 do të jetë 14.16 milionë lekë. Në rast se fitimi real në fund të vitit rezulton më i lartë, diferenca tatohet me normën preferenciale prej 5 për qind.

 

Draftmarrëveshjet duhet të përgatiten nga administrata tatimore deri më 10 qershor, ndërsa bizneset duhet t’i nënshkruajnë dhe ngarkojnë në e-Filing jo më vonë se 15 qershor 2026. Kësti i parë i pagesës duhet të shlyhet deri më 30 qershor.

 

Rideklarimi pa gjoba, por me kontroll më të fortë

Bizneset që zgjedhin rideklarimin e pasqyrave financiare mund të ndryshojnë deri në 30 për qind të zërave të aktiveve, detyrimeve dhe kapitaleve pa gjoba apo kamatëvonesa administrative. Megjithatë, për çdo ndryshim aplikohet një tatim prej 5 për qind.

 

Qëllimi i ligjit është rritja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, formalizimi i ekonomisë dhe krijimi i një marrëdhënieje më bashkëpunuese mes administratës tatimore dhe biznesit. Ligji nuk përbën amnisti për veprat penale që lidhen me pastrimin e parave apo mashtrimin fiskal.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat